Sveçla i përmend Radojiçiqin e Veslinoviqin: Kemi informata se grupe të tjera po trajnohen
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka dhënë një intervistë në KTV, ku ka folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit të Banjskës.
Sipas Sveçlës, Kosova ka informacione se edhe grupe të tjera janë duke u trajnuar për sulme të ardhshme ndaj shtetit kosovar.
Madje, ai ka përmendur me emër e mbiemër Milan Radojiçiqin, i cili e pranoi pjesëmarrjen në sulmin terrorist të Banjskës, dhe Zvonko Veselinoviqin, biznesmen kontravers.
“Kemi informata inteligjente se grupe të tjerra janë duke u trajnuar, se jo vetëm Radoiçiqi por edhe Veselinoviq do të jenë pjesë e sulmeve të ardhshme nëse ne do t’i lejojmë të ndodhin ato, me të vetmin qëllim që të shkaktojnë një situatë të re në terren ku pozicioni i Serbisë do të përmirësohej në raport me qëllimin e tyre për ta shkatërruar Kosovën.” – tha Sveçla, transmeton Koha.