“S’varet prej nesh..”: Tri arsye pse Qeveria Kurti s'i ka meritat për liberalizimin e vizave
Po ua themi qysh në fillim, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, nuk i ka meritat për liberalizimin e vizave. Janë tri arsye për këtë, arsye që me shumë gjasë, i di edhe vetë partia në pushtet.
Procesi i liberalizimit të vizave për shtetin e Kosovës ka zgjatur tepër shumë, mbi një dekadë. Më në fund, prej një janarit 2024 vendimi që u mor para një viti, hyri në fuqi dhe tash mund të udhëtojmë veç me pasaportë.
Shumë herë në opinionin publik, me të drejtë është thënë se prej të gjitha vendeve, Kosova ka pasur më së shumti kritere për liberalizimin e vizave. 93 deri në vitin 2016, derisa për dy vite, iu shtuan edhe dy të tjera, pra 95. Këto kritere i plotësoi, madje në vitin 2018, kur Vetëvendosje nuk ishte në pushtet.
Tash, janë bërë 11 ditë prej kur me dhjetëra-mijëra kosovarë janë duke lëvizur pa viza. Janë bërë edhe 11 ditë prej kur kemi parë shumë akterë të VV-së duke i marrë meritat për një çështje të tillë.
I
Dalim te arsyeja e parë pse Qeveria Kurti s’i ka meritat. S’po e themi ne, në fakt këtë e kishte thënë vetë kryeministri Kurti.
Shefi i ekzekutivit, si shumë njohës të çështjes, e di që procesi që nisi si teknik, shumë shpejt u shndërrua në politik. Këtë e kishte lënë të kuptohet vetë ai pasi ishte bërë kryeministër, në një deklaratë të dhënë nga Kuvendi i Kosovës.
Kurti e kishtë thënë qartë që kjo çështje, nuk varet prej tij, sepse të gjitha kriteret, veçse ishin plotësuar.
“Unë jam kryeministër i cili asnjëherë nuk ka bërë premtim me afate lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët, as në fushatë as në detyrë. Keni pasur shembuj në të kaluarën ku thuhej 15 muaj, 19 ditë, sivjet, vitin e ardhshëm; mua nuk më keni dëgjuar ashtu sepse e di që ajo punë nuk varet prej nesh, teksa 95 kritere ishin plotësuar.” – ishte shprehur ai në vitin 2022.
Pra, të dashur lexues, ja, më lartë e keni arsyen e parë pse VV-ja dhe Kurti s’i kanë meritat për liberalizimin e vizave.
II
Arsyeja e dytë na kthen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë. Një opozitë goxha e ashpër madje.
Pasi Kosova plotësoi kriteret për liberalizimin e vizave, u shtuan edhe dy të tilla. Shtetit tonë i kërkohej ta kryejë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të bëjë arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shumë prej nesh e mbajnë mend, i kujtojnë ato pamje nga seanca për ratifikimin e Demarkacionit ku VV-ja hodhi gaz lotsjellës në shenjë protestë për kundërshtimin e saj.
Pra VV-ja – edhe fizikisht – e kishte kundërshtuar një prej kritereve të fundit për liberalizimin e vizave që rrjedhimisht, e përbën edhe arsyen e dytë pse s’i ka meritat për këtë.
Megjithkëtë, demarkacioni u ratifikua dhe pas kësaj, në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i kishte plotësuar tashmë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
III
Në fund të vitit 2022, pritej që këtij procesi t’i jepej një epilog dhe të merrte fund me një vendim pozitiv. Pritej që përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian t’i thonin përfundimisht “PO” lëvizjes së lirë për qytetarët nga Kosova.
Por, ndodhi krejt diçka tjetër. Ndodhi diçka që na lidh sërish me Lëvizjen Vetëvendosje, tash në pushtet dhe me vendimet që i mori shefi i saj, tash kryeministër.
Kosova dhe Serbia assesi nuk po arrinin një marrëveshje për targat. Kështu, në veri pati tensione dhe komuniteti ndërkombëtar po e fajësonte Kurtin.
Dhe çka ndodhë? Kosova hiqet nga agjenda e takimit të ambasadorëve të BE-së, gjë që ishte konfirmuar atë kohë nga presidenca e bllokut, Çekia:
"Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale.”
Natyrisht, vendimi ndryshoi sërish dhe Kosova u vendos në agjendë të takimit vetëm pasi Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje.