Suspendohet i tërë zinxhiri përgjegjës për rastin e foshnjës së vdekur në Pejë
Muhamet Haliti, drejtor mjekësor në Spitalin e Pejës, ka deklaruar se i gjithë zinxhiri përgjegjës është suspenduar në lidhje me rastin foshnjës së vdekur e cila e mbështjellur në çarçafë është futur në lavatriçe.
Në një përgjigje për një Paparacin, ai tregoi se në këtë zinxhir nuk ka pasur mjekë të suspenduar
Të gjitha institucionet, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas Halitit, janë informuar.
“Po, ka pasur suspendime. Punëtori që ka qenë përgjegjës për punën që ka pasur. I gjithë zinxhiri që ka qenë përgjegjës është suspenduar. Nuk ka pasur mjekë të suspenduar. Të gjithë janë të njoftuar, edhe Ministria edhe ShSKUK-ja”, ka thënë ai.
Çka ndodhi?
Një rast tejet tragjik dhe tepër skandaloz ku një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe teksa ishte e mbështjellë me çarçaf ka ndodhur në Spitalin e Pejës.
Sipas raportimeve, një grua ka sjellë në jetë fëmijën e saj në javën e 32-të për shkak të komplikimeve mjekësore.
Pas procedurës, foshnja thuhet se është hedhur në hapësirat boshe të sallës, ku më pas është përzier me çarçafët dhe është futur në lavatriçe me to nga një punonjës pastrimi.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ndërsa ka thënë se hetimet për rastin kanë filluar.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Prokurori i krimeve të rënda ka dal në vendin e ngjarjes, rasti është në fazën e hetimit. Po i presim edhe raportet nga Inspektorati Shëndetësor”, tha ai për Nacionalen.
Në rrëfimin për Ineksonline, babai i foshnjës, identiteti i të cilit nuk është publikuar, ka thënë se dyshimet filluan në momentin kur nga stafi refuzuan ta lënë të lirë kufomën.
Spitali fillimisht refuzoi ta lirojë trupin e vdekur të fëmijës së tij, teksa dyshimet u konfirmuan kur babai veçse i pa copat e trupit.