Surroi e këshillon publikisht Kurtin: Veriu nuk duhet të menaxhohet me njesi speciale
Veton Surroi, opinionist i njohur dhe këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, e ka ndarë mendjen në lidhje me veriun. Surroi beson që veriu nuk duhet të menaxhohet me njësi speciale policore. Ndërsa në lidhje me dialogun e deritanishëm, Surroi vlerëson se ka dhënë rezultate të pamjaftueshme deri sot.
Në një intervistë “solo” në “Rubikon” të Klan Kosovës, Surroi ka theksuar se Policia e Kosovës ka mbuluar zbrazëtinë e sigurisë në veri, por ajo pjesë e Kosovës nuk duhet të menaxhohet përmes këtyre njësive.
“Fillimisht nuk duhet lejuar hapësirë zbraztie, dhe ajo zbrazti është mbushur me prani. Ajo prani nuk mund të jetë e përhershme, e tillë. Pra Kosova nuk mund të menaxhojë atë pjesë të territorit të vetë me polici speciale. Asnjë pjesë e Kosovës nuk duhet të menaxhohet me njësi special.duhet të ketë një rend, rregull dhe në Leposaviq duhet të ketë polici të njëjtë siç ka në Malishevë. Nuk duhet të ketë kurrfarë dallimi në fund. Pushteti duhet të ndërtohet në formë të njëjtë sikurse është ndërtuar në Malishevë, me zgjedhje” – ka deklaruar Surroi, i cili kërkoi që kryetarët e katër komunave në veri të fitojnë legjitimitet përmes zgjedhjeve.
Megjithatë këtë proces, Surroi e cilësoi si “të ndërlikuar”, ndërsa konfliktin në mes Kosovës dhe Serbisë e quajti “si konflikt të papërfunduar”.
“Ne jemi të lidhur në veprimet tona. Do të ishte e mirë që në këto shtete, në këtë regjion të ngritet një gjeneratë e re e njerëzve e cila thotë se ngadal se ne kemi një interes të përbashkët, se duhet t’i zgjidhim më në fund këto çështje, sepse fëmijtë duhet të jetojnë në paqe, ne duhet të jetojmë në paqe” – tha ai.
Kur e përfundoi interpretimin për një të ardhme paqësore, Surroi foli konkretisht për çështjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Surroit, procesi negociator i deritanishëm ka dhënë rezultate të pamjaftueshme.
“Është evidente se forma e deritanishme e procesit negociator me Serbinë ka dhënë rezultate sa ka dhënë deri sot, por janë të pamjaftueshme, rezultati u është ofruar të dyja palëve, njëra palë ka dashur ta nënshkruaj Kosova, pala tjetër jo vetëm që s’ka dashur ta nënshkruaj, por ka bërë vërejtje gojore dhe me shkrim ndaj kësaj marrëveshje” – ka theksuar Surroi në Rubikon.
“Duhet me qenë korrekt edhe me presidentit Vuçiq. Ai ka qenë korrekt kur ka thënë se unë nuk e pranoj këtë marrëveshje, nuk e pranoj në tërësi, nuk e pranoj nënshkrimin, nuk i pranoj këto pika dhe nuk duhet fajësuar Vuçiqin për gënjeshtra. Duhet fajësuar Bashkimin Evropian për keqinterpretim të fjalëve të tij, sepse kur ai ka thënë se nuk dua të nënshkruaj dhe nuk e pranoj këtë marrëveshje, e këta thonë që e ka pranuar marrëveshjen, atëherë këta i kanë keqinterpretuar fjalët e presidentit” – tha mbrëmë Surroi.