'Sulmohet' Rakiqi, 'i zihet dera' Listës Serbe: Çka po ndodh në Mitrovicë të Veriut?
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është sulmuar edhe fizikisht në Mitrovicë të Veriut sot. Çka parapriu këtë përplasje?
Rakiq shihet derisa shtyhet nga disa protestues serbë, derisa pranë tij qëndronte edhe Igor Simiqi.
Protestuesit paraprakisht – siç raporton Kossev – kishin shprehur zhgënjim të madh me Listën Serbe për shkak të situatës së re.
Ata protestuan edhe kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke e akuzuar për tradhti.
Por, çka ishte kjo situatë?
Policia e Kosovës sot arrestoi një serb të dyshuar si prijës të bandave kriminale në veri me emrin Millun Millenkoviq Llune.
Sipas njoftimeve jozyrtare të kësaj gazete, qindra qytetarë po qëndrojnë para hyrjes së ndërtesës ku po qëndron kryesia e Listës Serbe.
Disa nga protestuesit kanë kërkuar që liderët e Listës Serbe t’ju drejtohen qytetarëve të pakënaqur.
Një qytetar me emrin Nebojsha Joviq ka kërkuar që nga nesër të protestohet para objektit të Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës, dhe jo në Zveçan.
Pakënaqësi ndaj Listës Serbe ishin shprehur edhe në të kaluarën nga qytetarë e politikanë të ndryshëm serbë.
Një ndër më të zëshmit ishte Aleksandër Arsenijeviq, politikani i ri nga Zveçani.
Kryetari i Srpskas, Goran Rakiq, raportohet se ishte sulmuar edhe më 29 maj me shishe derisa ndaj tij kishte pasur edhe fyerje.
“Mund ta shihnit në terren. Lista Serbe nuk ishte në gjendje të udhëhiqte njerëzit dhe t’i bënte ata që t’ju besonin. I kishim disa incidente ku njerëzit publikisht dhe qartësisht shprehën pakënaqësitë e tyre me mënyrën se si ata menaxhuan...” – kishte argumentuar znj. Tatjana Llazareviq nga portali Kossev më 29 maj.
Kujtojmë se sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka paraqitur para opinionit një propozim për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Ai ka thënë se për atë propozim po pret përgjigje nga kryediplomati Josep Borrell dhe nga vendet e QUINT-it.
