Sulmi në Banjskë, Rama: Nuk bëmë gjest konsumi elektoral siç janë prej kohësh nga Qeveria në Prishtinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dënuar sërish sulmin terrorist të 24 shatorit në Banjskë të Zveçanit.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ku po diskutohet një rezolutë për këtë sulm, Rama ka thënë se Shqipëria e ka përkrahur Kosovën.
Në adresimin e tij, kryeministri shqiptar ka thumbuar Qeverinë e Kosovës.
Sipas tij, më këtë rast Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë gjeste të konsumit elektorat siç ka bërë më herët Qeveria e Kosovës.
“Ne nuk bëmë gjest konsumi elektoral siç janë prej kohësh një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë lidhur me dialogun, përfshirë edhe ndaj qeverisë tonë përmes zërave të dytë e të tretë. Pozicioni i dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe Amerikës, dhe vet-viktimizimi i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës në dialog, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana e jonë të cilën e kemi vazhudar në çdo instancë e rrethanë të mundshme”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se për këtë çështje ka qenë në kontakt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Së bashku me presidenten e Kosovës kemi folur për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së për këtë përshkallëzim. Beogradi zyrtar mban përgjegjësi të madhe sa nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin e zisë. Përderisa nuk shpalli thirrjen për të hapur hetim së bashku me të gjitha forcat e përfshira në normalizim”, është shprehur Rama.
Sipas tij, reagimi i Shqipërisë lidhur me rastin nuk ishte i linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian.
“Si reagoi Shqipëria? Për herë të parë në 10 vjetët e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian. Deklarata ishte kryekëput për Kosovën dhe detyrat e saj në procesin e dialogut, dhe s’kishte asnjë germë për Serbinë. Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat dhe kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, ishte e papranueshme që deklarata të dilte sikur asgjë të kishte ndodhur. Kishte ndodhur diçka shumë e madhe, ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi qysh pas vitit 1999. Ende më keq, ngjarja kriminale ishte pasur nga një akt i papranueshëm zyrtar, shpallje zie në Beograd. Ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, prisnim një deklaratë të dytë ku do të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd, dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar”, ka thënë Rama.