"Sulmi ndaj personit zyrtar", 48 orë në mbajtje; Cilat ishin (mos) veprimet e shtetit për sulmin ndaj ekipit të Nacionales
Derisa ekipi i Nacionales raportonte për protestën e organizuar kundër festivalit DokuFest, një person e ka sulmuar fizikisht gazetarin dhe kameramanin e Gazetës Nacionale. Teksa gazetari Vullnet Krasniqi po raportonte, kur filluan sulmet e para ndaj tij, zyrtarë të Policisë së Kosovës ishin në afërsi të vendit të ngjarjes. Ata u treguan mjaft të ngathët, edhe pse gazetari Vullnet Krasniqi, tërë kohën kërkonte ndihmën e tyre.
Veprimet:
Megjithatë, pas sulmit Policia e Kosovës e arrestoi njërin nga sulmuesit e me vendim të prokurorit ai u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka treguar për Nacionalen se personi që ka sulmuar gazetarët është duke u intervistuar.
“Lidhur me sulmin në fjalë, një person është identifikuar dhe është duke u intervistuar në polici”, ka thënë Bytyqi.
Sulm ndaj personit zyrtar
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi e ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari në lidhje me sulmin ndaj ekipit të Nacionales, duke shtuar se rasti është duke u cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.
“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të japë më shume informacione”
Kjo vepër sipas Kodit Penal të Kosovës, është e ndëshkueshme deri në 3 vjet burgim.
Kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare, në lidhje me detyrat zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
Dënohet dhuna ndaj gazetarëve të Nacionales
Sulmi fizik ndaj ekipit të gazetës Nacionale është dënuar ashpër nga përfaqësuesit e gazetarëve dhe të shoqërisë civile.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sulmin ndaj gazetarëve e ka cilësuar të papranueshme, duke kërkuar dënimin e autorëve.
“AGK-ja e dënon sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales në Prizren. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren. Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”. Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, është thënë në reagimin e AGK-së.
Edhe juristja e medias Flutura Kusari ka bërë thirrje për dënim të autorit.
“Gazetari i Nacionales Vullnet Krasniqi dhe kameramani janë sulmuar fizikisht nga disa persona në Prizren derisa po bëheshin gati të raportojnë protesten kundër. Dokufest, ngjarjes më të rëndësishme dhe më të mrekullueshme kulturore që ka Kosova. Kriminelët duhet të arrestohen menjëherë. Për çdo minutë që ata nuk janë në paraburgim, mesazhi është msyjani gazetarëve se nuk keni pasoja. Pa u rritë dënimet për sulme online dhe fizike ndaj gazetarëve dhe pa u ndal denigrimi verbal i gazetarëve nga njerëzit e veshur me pushtet politik, fetar apo financiar, të bërit gazetari do të vazhdojë të përkeqësohet më shpejtësi. Ky ështe sulmi i 54 ndaj gazetarëve dhe kameramanëve ketë vit, sipas faqes së AGK-së. Në vitin 2020, Kosova kishte regjistruar 24 sulme”, ka shkruar Kusari në profilin e saj në “Facebook”.
Kurse, drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se ky sulm është edhe një tregues për atë së deri ku ka arritur agresiviteti i individëve dhe grupeve me orientim fondamentalist islamik në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se autorët e sulmit duhet të nxjerrën para drejtësisë.
“Se pari shpresoj se gazetari Vullnet Krasniqi dhe kameramani i Nacionales nuk kane pesuar lendime fizike. Ky sulm ndaj gazetareve te Nacionales eshte edhe nje tregues per ate se deri ku ka mberrite agresiviteti i individeve dhe grupeve me orientim fondamentalist islamik ne Kosove. Me asnje kusht nuk bene qe te lejohet qe ky akt i dhunshem te kaloj pa u denuar rende nga organet e drejtesise! Poashtu, edhe Policia e Kosoves duhet te njoftoj opinionin se Bashkesia Islame e Prizrenit a ka kerkuar leje per proteste dhe a ju ka dhene e njëjta”, ka shkruar Peci.
Për sulmin ndaj ekipit të Nacionales, kanë reaguar edhe shumë figura të tjera të njohura publike.
Protesta e sotme në Prizren ishte ftuar edhe nga kryeimami i BIK-ut në Prizren, Besim Berisha. Në këtë protestë, janë dëgjuar edhe thirrjet islame “Allahu akber”, që në shqip i bie “Zoti është më i madhi”.