Sulmi ndaj 14 vjeçarit në veri të Mitrovicës: Spitali jep detaje për gjendjen e tij
Një 14-vjeçar ka qenë cak i sulmit nga “grupe kriminale” në veri të Mitrovicës, konfirmoi të enjten ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa situata atje vazhdon të jetë e tensionuar. Gjendja e të miturit është e mirë, dhe është liruar për në shtëpi.
Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Buçinca – Zhubi, i ka thënë Nacionales se 14-vjeçari ka kërkuar ndihmë pas lëndimeve, por se gjendja e tij konsiderohet jashtë ndonjë rreziku.
“Po një 14 vjeçar ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi është sulmuar në veri. Pas ofrimit të trajtimit është liruar për në shtëpi dhe gjendja e tij konsiderohet jashtë ndonjë rreziku.” – na tha Buçinca - Zhubi.
Në lidhje me rastin, Nacionale kontaktoi edhe zëdhënësin e Policisë për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, por ky shkurt na u përgjigj: “Lëndim i lehtë trupor”.
Çfarë tha ministri Sveçla rreth rastit?
Në konferencën e mbajtur pasditen e së enjtes, ministri Sveçla do të dilte me një informacion të fundit se një fëmijë i moshës 14 vjeçare është sulmuar në lagjën “Kroi i Vitakut”.
“Sapo më njoftuan, se rreth orës 14:00, një 14 vjeçar, banor i Kroit të Vitakut është sulmuar nga grupe kriminale duke shkuar në lagjën ku banon.” – tha fillimisht ministri.
Ai shtoi se policia është angazhuar për zbardhjen e këtij rasti, derisa pati një edhe një porosi.
"Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, policia është duke u angazhuar maksimalisht për zbardhjen e këtij rasti, dhe kam porosi, se do t’i shfrytëzojmë kapcitetet që ata të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, që të jenë të përgjegjshëm ndaj këtyre akteve kriminale.” – tha ai në fund.
Veriu që 13 ditë në barrikada
Situata në veri të vendit është tensionuar edhe më shumë pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit, rrjedhimisht, edhe kryetarëve të katër komunave atje.
Tash e 13 ditë, janë vendosur barrikada në rrugët që çojnë për Jarinjë e Bërnjak, të cilat mbesin të bllokuara.
Gjatë ditës së mërkurë, dje, u organizua një protestë nga serbët e cila u pretendua se erdhi pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e barrikadave.
Siç njoftoi Policia e Kosovës, protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente.
“Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.” – thuhej në komunikatë.
Sa i përket heqjes së barrikadave, në lidhje me këtë çështje u deklarua sot edhe ministri Sveçla. Në konferencë, ai paralajmëroi se nëse të njëjtat nuk hiqen nga misioni i KFOR-it, Kosova ka kapacitetet për ta kryer një gjë të tillë.
“Ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e tyre, jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtare, presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë, situate është e njëjtë, mund të themi se është rënduar. Po presim që sa më shpejt, ato të largohen, e nëse kjo nuk ndodhë, patjetër se kemi kapacitete për ta bërë vetë.” – tha ai.
Vlen të përmendet, se si pasojë e vendosjes së barrikadave, një numër i zyrtarëve policorë të Kosovës, kanë mbletur të bllokuar, gjë të cilën e konfirmuan edhe sindikata e Policisë së Kosovës.
“Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjestarët e policisë janë duke i përcjellur nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndrrimi.” – thuhej në komunikatën e tyre.
Nëntë policë, para pak ditësh u transportuan me ndihmën e KFOR-it, kjo për shkak që siç u konfirmua për Kanal10, kishin probleme shëndetësore.

