Sulmi fizik ndaj gazetarit Pacolli, Prokuroria thotë se "organet e rendit janë duke zhvilluar hetime intensive"
Gazetari i Nacionales, Burim Pacolli, është sulmuar fizikisht pasditen e sotme rreth orës 16:00 në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për kapjen e të dyshuarve.
Ngjarja ka ndodhur pranë rrethit të “Interex”-it në kryeqytet, derisa gazetari po kryente shërbime personale bankare. Sulmi është kryer nga reperi Gramos Krasniqi, i njohur me emrin artistik “Mossi”, i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë.
Lidhur me këtë incident, Prokuroria Themelore ka lëshuar një komunikatë zyrtare duke bërë të ditur se po zhvillohen "hetime intenstive në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit."
"Menjëherë pas pranimit të informacionit, Prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të identifikimit dhe të lokalizimit të personave të dyshuar, si dhe për sigurimin e provave relevante.
Aktualisht, organet e rendit janë duke zhvilluar hetime intensive në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Për shkak të fazës së hershme të hetimit dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë."