Sulmet ndaj Policisë në veri - Sveçla viziton pikat kufitare, krerët e vendit fajësojnë Serbinë - NACIONALE

Sulmet ndaj Policisë në veri - Sveçla viziton pikat kufitare, krerët e vendit fajësojnë Serbinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri kanë përbërë zhvillimin kryesor në vend gjatë ditës së djeshme.

Ministri i Brendshëm në Republikën e Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetin, thirrën të premten një konferencë për medie, ku dhanë detaje rreth sulmeve ndaj Policisë.

Pas këtyre sulmeve, ministri Sveçla vizitoi sot pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak, ku edhe gjatë natës së mbrëmshme ka pasur sulme ndaj zyrtarëve policor të Kosovës.

Në një njoftim në rrjetin social “Facebook”, Ministri i Brendshëm u shpreh se grupe kriminale kanë sulmuar Policinë dhe bëri me dije se i ka vizituar sot pikat kufitare ku këto sulme kanë ndodhur.

Ndër të tjera, Sveçla shprehu gatishmërinë për të vazhduar luftimin e aktiviteteve ilegale.

“Në orët e hershme të mëngjesit, nga grupe kriminale janë sulmuar me mjete shpërthyese veturat e policisë kufitare. Sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës të cilat i kemi mbyllur.

Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policor është e mirë dhe nuk ka dëme materiale.

Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Shaptej vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku Policia jonë kufitare mbikqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar.

Vazhdojmë bashkë e me përkushtim maksimal që të luftojmë çdo grup kriminal që me aktivitete ilegale cënojnë sigurinë e vendit tonë.”, shkroi ai.

Serbia pas sulmeve të Policisë së Kosovës në veri?

Pas lajmit se Policia e Kosovës është sulmuar me granata, kallashnikovë e mjete të tjera të rrezikshme, reagimet kanë qenë të shumta edhe nga zyrtarët e tjerë të lartë në vend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këto sulme i quajti si të ardhura nga Serbia, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e sigurinë e vendit.

“Për tri ditë rresht (13 -15 prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar ndër të tjera Kryeministri i vendit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas sulmeve që kanë vazhduar disa ditë me radhë, ka mbledhur dje në një takim strukturat e sigurisë, duke përfshirë Drejtorin e Policisë së Kosovës, atë të AKI-së si dhe Ministrin e Brendshëm.

Edhe krerët e dy partive më të mëdha opozitare, PDK-së dhe LDK-së, kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se këto sulme i konvenojnë vetëm mohuesve të sovranitetit të Kosovës.

“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë, është akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë u konvenon trazira dhe provokimi i paqes”, shkroi ai.

Fotografitë që qarkulluan pas sulmeve të Policisë në veri

Dëmet materiale të shkaktuara nga sulmet ndaj Policisë nuk ishin të vogla, kurse kërcënimet ishin të mëdha.

Këtë, e faktojnë më së miri fotografitë e publikuara nga institucionet përgjegjëse, konkretisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në fotografi, shihen gëzhoja plumbash, iriqë metalik, xhama të thyer e dyer të shpuara.

/NACIONALE/

Lajme të ngjashme