Sulm të ri, riorganizim, trajnime: Çka thanë Kurti e Sveçla për grupin e Radojiçiqit?
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, kanë mbajtur një konferencë të gjatë për medie, ku kanë folur kryesisht për sulmin në Banjskë të Zveçanit dhe riorganizimin e grupit të Milan Radojiçiqit, njeriut që e pranoi se e udhëhoqi sulmin më 24 shtator. Por çfarë thanë Kurti e Sveçla për grupin e Radojiçiqit?
Që në krye të konferencës, Kurti tregoi se urdhri për sulmin në Banjskë ishte kumtuar në një kompani, ku pronar ishte Radojiçiqi dhe vëllezërit famëkeq Zvonko dhe Zharko Veselinoviq.
“Urdhri për sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, saktësisht para 3 muajve në mjediset e kompanisë “Novi Pazar PUT”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe i përdorur në Banjsksë, ishin të përqëndruar në këtë lokacion. Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së, është pronë e vëllezërve e Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit dhe Millan Radojiçiqit” – deklaroi Kurti, raporton Nacionale.
Por Kurti nuk u ndal me kaq, pasi ai tregoi se grupi i Radojiçiqit po vazhdon të riorganizohet në Serbi, duke planifikuar edhe sulme të reja në Kosovë.
“Trajnimet drejtohet nga ushtarak të pensionua serb, të cilët kanë grada të larta si gjeneral, kolonel e nënkolonel dhe të cilët kanë njohuri për Kosovën, të cilët mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së fundit në Kosovë. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajper”, ka thënë Kurti.
“Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëton ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë” – tha të shtunën Kurti.
Madje, Kurti e dha edhe një informacion goxha shqetësues për sigurinë e Kosovës.
“Gjatë nëntorit 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Plani paraprak për sulme hakmarrëse nga PK-së kemi marrë vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të PK-së e KFOR-it rreth kufirit me Serbinë” – ka deklaruar Kurti.
Ndërsa në fjalën e tij, Sveçla sqaroi hap pas hapi se si kishte ndodhur sulmi më 24 shtator në Banjskë. Përveç informacioneve të detajuara, Sveçla publikoi edhe fotografi të pjesëmarrësve të dyshuar në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe u eliminuan tre pjesëtarë të grupit të Radojiçiqit.
Madje, Sveçla publikoi edhe një fotografi të Radojiçiqit, ku ai shihet i armatosur në Mitrovicë të Veriut gjatë dhjetorit të vitit 2022. Sveçla dha edhe një informacion po ashtu shqetësues. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, në veri ka pasur 114 sulme ndaj zyrtarëve dhe institucioneve kosovare.
“Si institucione kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë planet e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist dhe kemi ndarë informacione edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri më sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë.” – deklaroi Sveçla.