Kurti: Serbia po bën plane për sulme të reja në veri, në nëntor ishte planifikuar marrja e viles së Radoiçiqit
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se grupi i Milan Radoiçiqit po planifikon sulme të reja në veri të vendit.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ata kishin planifikuar një sulm të ri në Zubin Potok për të marrë në kontroll vilen e Radoiçiqit.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ata kishin planifikuar një sulm të ri në Zubin Potok për të marrë në kontroll vilen e Radoiçiqit, e cila tashmë është sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Ai ka dhënë detaje edhe si ka ndodhur sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.
“Urdhri për sulmin e 24 shtatorit i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, ishte kumtuar në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet arsenali ishin të përqëndruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është e sanksionuar nga SHBA është e vëllezërve Veselinoviq dhe Radoiçiqit dhe drejtor është “Gërba” që ka marrë pjesë në luftërat e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë, gjithashtu ka qenë drejtori i burgut të Nishit. Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar Vuçiqi, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar. E kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar si njeriu më i shpejt. E përgëzoi edhe për përurimin e rrugës, tre muaj para kohe me nxitim”, ka deklaruar Kurti, duke treguar detaje tjera.
“Aty Vuçiq tha se e ka të vështirë të gjej zgjidhje me njerëzit nga Kosova, duke mu referuar mua. Ai aty akuzonte për sulm, sepse po përgatiste sulm. Gjë që ndodhi më 24 shtator. Pas sulmit, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tani po organizon sulme të tjera me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile. Ai po mban takime me BIA-n, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoicic dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen pjesëtarë të mbrojtjes civile që kryejnë vëzhgime, e që instruktor e kanë Uglejsha Jarenicin. Ata po strehohen dhe përveç akomodimit, ata paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”, ka thënë kryeministri.
Më tej, ai ka treguar se kush po i bënë këto përgatitje.
“Trajnimet drejtohet nga ushtarak të pensionua serb, të cilët kanë grada të larta si gjeneral, kolonel e nënkolonel dhe të cilët kanë njohuri për Kosovën, të cilët mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së fundit në Kosovë. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajper”, ka thënë Kurti.
I pari i qeverisë ka njoftuar se grupi kishte planifikuar një sulm të ri në Kosovë gjatë muajit nëntor.
Sipas tij, sulmi është shtyr për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
“Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm ndaj komunës së Zubin Potokut, me qellim marrjen e viles së Radoiçiqit që ndodhet në brigjet liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se këto sulme janë shtyrë edhe për shkak të patrullimeve të policisë me KFOR-in në kufij.
“Plani paraprak për sulmet hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, kemi marr vesh se e ka ndryshuar intensifikimi i patrullimit të përbashkët mes Policisë de Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave tjera te ndërmarra nga ne”, ka thënë Kurti.
Nder të tjera, Kurti ka treguar edhe për takimet që krimineli serb ka me shërbim sekret serb.
“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të organizatës terroriste “Mbrojta Civile”. Radojiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb “BIA””, ka deklaruar Kurti.