Sulm fizik, letra kërcënuese e linçime: marrëdhënia e trazuar e "marshallëve" të VV-së me diplomatët amerikanë - NACIONALE

Sulm fizik, letra kërcënuese e linçime: marrëdhënia e trazuar e "marshallëve" të VV-së me diplomatët amerikanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëdhënia ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe ambasadorëve të huaj në Kosovë ka qenë gjithnjë e trazuar. E raportet më të këqija në këtë kontekst, janë ato ndërmjet LVV-së e ambasadorëve amerikanë. Kjo marrëdhënie jonormale, shpesh është përshkruar me episode aspak të mira, me gjuhë të ashpër, e madje një herë, edhe me sulm fizik të VV-së ndaj një ambasadoreje amerikane.

"Marshallët" e VV-së ishte nofka që Tina Kaidanow, një ish-diplomate amerikane, i referohej dikur partisë sot më të madhe në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa qëndrimet e VV-së ndër vite, posaçërisht për bashkimin kombëtar, qenë shokuese për një tjetër ambasador të SHBA-së në Prishtinë.

Historia ripërsëritet, pafundësisht

Historia e përplasjeve mes ambasadorëve amerikanë e LVV-së është e gjatë, shumë e gjatë. "Zhgënjim e shokim" është togfjalëshi që mund të përdoret për këtë marrëdhënie komplekse mes VV-së e diplomatëve amerikanë.

Wikileaks, një organizatë ndërkombëtare që publikonte dokumentet e klasifikuara dhe informacionet sekrete të qeverisë amerikane, kishte publikuar një dokument që zbulonte se ambasadorja amerikane, Tina Kaidanow në 2007, i quante anëtarët e LVV-së "marshall".

Në dallim prej demonstratave të kaluara, ‘marshallët’ e VV (anglisht shkurt SDM), me rroba identifikuese kontrolluan turmën duke bërë një kordon njerëzor. UNMIK-u dhe SHPK-ja i lejuan protestuesit të kalojnë, por nuk i lejuan të hyjnë në ndërtesë. Tek ndërtesa e Kuvendit, protestuesit u ndalën për të dëgjuar një lider të VV-së, Glauk Konjufca, i cili kundërshtoi pakon e Ahtissarit dhe pastaj theu një kuti që simbolizonte pakon e Ahtisaarit”, theksonte Kaidanow, transmeton Indeksonline.

Madje, ajo kishte kërkuar që Albin Kurti, udhëheqës i LVV-së, të dënohej sa më gjatë me burg.

Ne mund të marrim frymë më lirisht pasi protesta e 3 marsit përfundoi e qetë. Por, ne mund të presim aktivitet të shtuar të VV-së në muajt më vazhdim, deri në zgjidhjen e statusit final, pasi gjetja e një statusi do të nënkuptonte që VV nuk do të kishte më çfarë të kundërshtonte. Ne do të vazhdojmë presionin tek lidershipi i Kosovës për t’u distancuar nga dhuna në secilin rast, do të punojmë me ta që ta mbajmë Albin Kurtin në burg, dhe do t’i inkurajojmë që ta ndjekin procesin e Ahtisaarit si kundërshtimi më efektiv i mesazhit negative të Vetëvendosjes”, përfundonte Kaidanow.

Ndërsa, edhe ambasadori tjetër, në Kosovë, Christopher Dell, kishte një mendim negative për partinë më të madhe aktuale në Kosovë. Dell vlerësonte se VV në shumë forma më tepër është në linjë me Serbinë, sesa me Kosovën.

””Vetëvendosje”, sikurse Boris Tadiqi, më tepër dëshiron ta shohë Shqipërinë e Madhe, sesa Kosovën e pavarur. Kjo për mua është shokuese”, ka theksuar diplomati amerikan.

Ndërsa, njëra nga diplomatet që nuk kishte as mendim të mirë as kontakt me Vetëvendosjen ishte ish-ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Për të ishte e papranueshme gjuha e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj shtetit të saj. Ambasadorja fliste për një letër, që, sipas saj, lideri i LVV-së, Albin Kurti e kishte kërcënuar aleaten me të madhe të Kosovës, ish-Sekretaren Albright.

“Kam parë letrën që ai i kishte dërguar z. Madeleine Albright, shefes sime të mëhershme, ku ai e kërcënonte se bashkë me miq dhe familjarë, do të ballafaqohej me të në rrugë, nëse ajo do të vinte në Kosovë”, kishte thënë Jacobson.

Administratat në ShBA ndryshonin, nga demokrate në republikanë, por marrëdhënia e trazuar vazhdonte mes VV-së e diplomatëve amerikanë.

Richard Grenell, ish i dërguar special i ish-presidentit Donald Trump, nuk kishte aspak marrëdhënie të mira me Kurtin, duke e quajtur këtë të fundit anti-amerikan.

“Albin Kurti ishte kundër Bill Clinton në Rambuje. Kurti ishte kundër George Bush në Vjenë. Kurti ishte kundër Barack Obama dhe Joe Biden për Demarkacionin. Kurti ishte kundër Donald Trump për Normalizimin Ekonomik. Ai do të jetë përsëri kundër Joe Biden. Ai është me të vërtetë anti-Amerikë”, shkruante Grenell kohë më parë.

Kundërpërgjigja e vetëvendosur

Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte qëndruar e duarkryq apo e paangazhuar në krejt këto raporte.

Partia e Kurtit kishte organizuar aksione simbolike kundër diplomates Kaidanow, duke vlerësuar se ajo nuk përfaqëson politikën e ShBA-së në Kosovë.

Por LVV i ktheu përgjigje edhe ish-ambasadorit Dell, duke e akuzuar për korrupsion e ndikim në kontratën për "Rrugën e Kombit", të cilën e kishte fituar "Bechtel-Enka", një kompani amerikano-turke.

“I bëj ftesë, nga kjo foltore, edhe Kryeministrit të kësaj qeverie, që të tregojë se sa ka qenë roli dhe çka e detyroi qeverinë e Kosovës të nënshkruajë një kontratë të tillë, e cila po rezulton të jetë shumë e dëmshme për Kosovën, dhe po ashtu i bëj ftesë edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, përmes Departamentit të Shtetit, që të merren më seriozisht me këtë punë dhe të na tregojnë se cili ka qenë roli i zotit Dell në këtë kontratë, dhe përgjithësisht në Kosovë, sepse e dimë se ndërhyrjet e tij në politikën e Kosovës kanë qenë të shumta. Pra, nëse ai ka pasur ndikim në nënshkrimin e kësaj kontrate nga pozicioni zyrtar i Amerikës, atëherë ne duam të dimë se në çfarë baze dhe si e ka bërë këtë punë”, kishte thënë ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në një seancë parlamentare.

Perveç aksioneve simbolike kundër ambasadorëve amerikanë, peticioneve online ku kishin kërkuar largimin e Greg Delawie, Vetëvendosje kishte përdorur një herë edhe forcën kundër ambasadorëve amerikanë.

LVV e kishte sulmuar fizikisht Tracey Ann Jacobson, teksa ajo ishte penguar fizikisht nga protestuesit e Vetëvendosjes për të hyrë në ndërtesën e Kuvendit, ku po zhvillohej një seancë e rregullt parlamentare.

“Vëzhguesit tjerë dhe deputetë janë sulmuar në të njëjtën mënyrë, gjersa tentonin të hynin në ndërtesë”, thuhej në njoftimine ambasadës amerikane.

Gjuha me e ashpër ndaj zyrtarëve amerikanë ishtë ndaj, Richard Grenell, i cili ishte kritikuar gjërësisht. Madje Kurti ishte "tallur" me orientimin sekal të Grenellit, duke thënë se "ai nuk do t'i shtrihej" përfaqësuesit të Trumpit.

Ndërsa, Avni Zogiani, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, e kishte krahasuar për të keq krahasuar Grenell me ish-ambasadorin amerikan në Prishtinë Christopher Dell.

“Ta supozojmë për shembull që Grenell ndërron edhe sektor, siç bëri Christopher Dell kur shkoi nga Kosova e u fut të punojë për Bechtel… kaq shumë politikë personale kanë prodhuar të dy, e kurdo herë që kemi provuar të jemi kritikë ndaj qasjes patroniste që kanë pasur të dy, jemi quajtur antiamerikanë. Nëpërmjet kësaj qasjeje për shembull Dell ka arritur të na fusë në këtë marrëdhënien tonë me Bechtel që na kushtoi shumë, sikur që na e imponoi një koncesion në Aeroport dhe një pothuajse falje të distribucionit të energjisë. Sot, nuk ke kujt i ankohesh për veprimet e Dell, ashtu siç nesër nuk do të kemi kujt t’i ankohemi për pasojat e Grenell”, ka shkruar Zogiani.

Zhgënjimi aktual

Amerikanët sot janë të zhgënjyer me Qeverinë Kurti për shkak të refuzimit të kërkesës për shtyrje të zbatimit të reciprocitetit për targa. Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ajo në Serbi, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e diplomatë të tjerë të DASH-it kanë theksuar vazhdimisht zhgënjimin e tyre me Qeverinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Kurti.

Të enjten, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka riktheksuar zhgënjimin e diplomatëve amerikanë ndaj refuzimit të kërkesës së tyre nga Kryeministri Kurti për të shtyrë për një periudhë dhjetë mujore zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Në një postim në Tëitter, z. Chollet tha se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin, siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për regjimin e targave”.

Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit. Diskutuam përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën euro-integrimit për Serbinë”, shkroi ai.

Lajme të ngjashme