Episodi i 18 i Ditarit të Buzhalës: Qysh po i frikëson njerëzit linçimi publik i VV-së ndaj mediave - NACIONALE

Episodi i 18 i Ditarit të Buzhalës: Qysh po i frikëson njerëzit linçimi publik i VV-së ndaj mediave

1 javë më parë

nga Berat Buzhala

Episodi i 18-të i Ditarit të Buzhalës, flet për lirinë e medias dhe linçimin e njerëzve nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Gazetari Berat Buzhala në këtë episod të emisionit, thotë se “mos me folë”, është garancion i sigurt për autoritarizëm.

Ai përmend situatën e viteve të 90-ta, kur mediat raportonin për të vërtetën e Kosovës, por megjithatë, sot ka grupe që nuk janë të lumtura kur mediat shpërndajnë të vërteta për to.

“Mos me folë, mos me t'u ni zani, është garancion i sigurt për autoritarizëm. Folë veç ai që din. Por kjo është kontradiktë logjike, nëse ti kurrë nuk folë, qysh kanë me e ditë tjerët a din a nuk din. Pak a shumë e njëjta logjikë dhe e njëjta kulturë dominon edhe në jetën publike. Ne kemi qenë të lumtur kur mediat perëndimore e kanë shpërndarë të vërtetën tonë, në vitet e 90-ta, por tash nuk jemi të lumtur, ose grupet nuk janë të lumtura, kur mediat e shpërndajnë të vërtetën për ta”, thotë Buzhala.

Ai në “Ditarin e Buzhalës”, flet edhe për veprimet e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili jo rrallëherë kapet me mediat.

Buzhala thotë se zëdhënësi e bën këtë gjë për dy arsye - e para për t’i sulur drejt mediave personat që i kanë formuar tash e disa vite e të cilët u besojnë verbërisht, dhe e dyta, për t’i frikësuar ata që duan të përdorin këtë të drejtë bazike, pra lirinë e shprehjes.

Mes tjerash, ai tregon se në postimet që i bën në rrjetin social Twitter, zakonisht merr komente nga llogari falso të cilat tentojnë t’u tregojnë të tjerëve se çfarë ndodh nëse flasin lirshëm.

“Për t’i shërbyer kësaj klime, ata krijojnë faqe si ajo 'meKryeministrin', që drejtohej deri vonë nga vëllai i Fitore Pacollit, ku sulmohet brutalisht çdokush që nuk është në vijë të plotë me Partinë”, thotë tutje Buzhala.

Përgjatë emisionit, përmenden edhe linçimet, derisa theksohet se në rast të raportimit të të pavërtetave, përballja duhet të bëhet në gjyq, e jo në Kuvend.

Për më shumë, ju ftojmë ta ndiqni në linkun më lart episodin e 18-të të Ditarit të Buzhalës, prodhim i gazetës Nacionale.

Shikim të këndshëm!

Lajme të ngjashme