Subvencionet, Prokuroria në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 18 personave - NACIONALE

Subvencionet, Prokuroria në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 18 personave

1 javë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur sot aktakuzë kundër tetëmbëdhjetë personave.

Të akuzuarit dyshohen për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.

Prokuroria ka bërë me dije se 11 nga te pandehurit janë persona zyrtar.

Prokuroria Themelore në Pejë njofton se njëmbëdhjetë (11) të pandehurit janë persona zyrtar dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, ”Marrje e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së dhe “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419 i KPRK-së, ndërsa shtatë (7)persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 i KPRK-së. Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth shtatëmbëdhjetë (17.000) euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth njëqindmijë (100.000) euro”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria ka treguar edhe për veprimet që duhet të ndërmerren ndaj këtyre zyrtarëve.

Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme