S’u vihet veshi: Thirrjet amerikane për gazin s’gjejnë përgjigje, OEA me thirrje ndaj Kurtit që “ta bëjë prioritet kombëtar”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dytën herë i bënë thirrje Kosovës që t'i bashkohet infrastrukturës rajonale të gazit natyror të lëngshëm.
Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti, në anën tjetër, vazhdon t'i injorojë plotësisht.
U.d. ambasadorja amerikane, Anu Prattipati, ditë më parë botoi thirrje publike ku edhe konstaton se Kosova po dështon të përmbushë kërkesën e vet vendore në rritje për energji.
Sipas të dhënave të Doganës që i citon ajo, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro për import energjie gjatë katër viteve të fundit.
Kostoja e importit është rritur nga 142 milionë euro në 2024, në 259 milionë euro në 2025.
"Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj," pati shkruar Prattipati.
Diplomatja e lidhi çështjen e energjis; direkt me sigurinë kombëtare në thirrjen e saj publike ndaj qeverisë kosovare.
"Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare," theksoi ajo, duke shtuar se "mundësia për t'iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet."
Zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane, Micah Savidge, në një intervistë për KosovaPress dje paralajmëroi se infrastruktura e LNG-së amerikane planifikohet të mbulojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.
Ai tha se bizneset amerikane kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji para se të zgjerojnë investimet në Kosovë.
I Dërguari i Posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, siç e cituan nga ambasada amerikane është shprehur se "sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane."
Savidge ka dhënë një shembull konkret të pasojave të vonimit.
Gjysma e kapacitetit të gazsjellësit Aleksandropolis–Shkup tashmë është rezervuar nga Serbia.
Kosova, sipas tij, ka humbur tashmë një mundësi.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë iu bashkua thirrjes amerikane, duke vlerësuar se "të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t'u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së."
OEA paralajmëroi se "shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti."
Ish-kryeministri dhe zyrtari i LDK-së, Avdullah Hoti, e cilësoi situatën alarm shtetëror.
"Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës," tha Hoti, duke shtuar se "heshtja nuk është përgjegjësi" kur aleati strategjik paralajmëron për rreziqe konkrete.
Ndërkohë, kryeministri Kurti ka treguar se synon veçse një alternativë krejt tjetër.
Në një intervistë për RTK më 6 qershor, një natë para zgjedhjeve, ai propozoi që Kosova të investojë në terminalin e LNG-së në Vlorë dhe të marrë energji elektrike përmes interkoneksionit 400 kilovoltësh me Shqipërinë.
"Vlora mund të jetë vendi ku Shqipëria e Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm që importohet nga jashtë," tha Kurti.
Kryeministri në detyrë shtoi se preferon gazifikimin e linjitit vendas mbi blerjen e gazit të huaj.
"Ne jemi shumë të interesuar për ekspertizën amerikane dhe për korporatat amerikane për gazifikimin e linjitit meqenëse ne i kemi burimet tona," deklaroi ai.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti refuzon projektet amerikane të gazit.
Në vitin 2021, qeveria e tij hodhi poshtë gazsjellësin e financuar nga MCC-ja. Ministrja Artane Rizvanolli kishte arsyetuar atëherë me "investime me risk më të ulët" drejt dekarbonizimit.
PDK-ja e ka bërë gazin amerikan "vijë të kuqe" në negociatat për koalicion.
Përparim Gruda tha ditë më parë se "nëse bëhet fjalë për një qeveri që refuzon gazin amerikan dhe ka tendenca me mbajt Kosovën të varfër, unë e shoh një koalicion të pamundur."