"Nuk e kanë vjedh bankën, veç i kanë marrë paret": Sallahu me 'perlë' të dytë pas vajit në tepsi
Duke provuar t’i gjejë një eufemizëm (përzbutje) fjalës “arratisje”, Zëvendës Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u bë gaz në rrjete sociale kur tha se Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj nuk u arratisën nga burgjet “por, u larguan”.
Reagimet që vërshuan nga politikanë, analistë e qytetarë prej më të zakonshmeve përmbysën logjikën e Sallahut; edhe ashtu tashmë të mbarë njohur për frazën mes komikes dhe absurdes së “vajit në tepsi” që ende mbijeton si lajthitje shprehimore në diskursin e çdoditshëm kosovar.
“Atëhere ata që e vjedhin bankën nuk janë hajdute, po veç i kanë marre paret”, ishte përkthimi kuptimor që gazetari Lirim Mehmetaj i bëri Sallahut.
T’i hymë me rend...
Brenda një javë në Kosovë kanë ikur dy persona të cilët ishin duke vuajtur dënimin me burg. Faton Hajrizi arriti që të arratisjes nga Burgu i Smrekonicës, ndërsa një javë pas u arratis Ujkan Metaj nga Burgu i Dubravës. Pas arratisjes së këtij të dytit, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu dhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës, Ismail Dibrani mbajtën konferencë për media.
Mbrëmjen e së premtes, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi për konferencës e përbashkët të Sallahut dhe Dibranit, ku gjatë konferencës të dytë thanë se nuk ka pasur arratisje nga burgjet e Kosovës, por vetëm largime. Këtë, ata e arsyetuan me faktin se të dënuarit, janë mbajtur në qendra korrektuese të tipit të hapur.
“Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – ka thënë Sallahu para mediave, transmeton Nacionale.
Për këtë deklaratë reaguan nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku Berat Rukiqi përmendi “shpejtësinë e vajit në tepsi”, fjali të cilën e kishte thënë Sallahu para disa kohëve.
“Dilema është me çfarë shpejtësie janë “largu”? Me gjasë me shpejtësinë e shpërndarjes të vajit në tepsi.” – ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Një reagim tjetër për deklaratën e zëvendësministrit Sallahu, erdhi edhe nga profesori universitar, Blerim Latifi.
Në një shkrim në profilin e tij, Lafiti ka vlerësuar se duke tentuar të shfajësohet, Sallahu ka “sharruar edhe më shumë”.
“Duke bërë përpjekje me u shfajësu, paska sharru edhe ma shumë.
Pse?
Konceptualisht arratisja nënkupton ikjen e planifikuar nga një sistem burgjesh me siguri të lartë, ndërsa largimi nënkupton pikërisht të kundërtën, pra një sistem burgjesh pa siguri, prej të cilit, në një ditë t'lume, thjesht largohesh” – ka shkruar Latifi.
Për deklaratën e dytit në Drejtësinë e Kosovës, reagoi edhe gazetari dhe analisti, Lirim Mehmetaj.
Mehmetaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se derisa Sallahu thotë që ata nuk janë “arratisur” por janë “larguar”, i bie që ata që “vjedhin bankën nuk janë hajdut, por veç kanë marrë paratë”.
“Sipas logjikes se zëvendësministrit te Drejtesise, Bekim Sallahut, i cili thote se te ikurit nga burgu nuk jane te arratisur po vec jane larguar, atehere ata qe e vjedhin banken nuk jane hajdute, po vec i kane marre paret. A durohen more keta matrapaza keshtu, sidomos ne keto temperatura...” – ka shkruar Mehmetaj në Facebook.
Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj pas kësaj deklarate të Sallahut, ka thënë se “s’din njeri a me keshë, a me kajtë”.
“Pushteti po na thotë që të burgosurit nuk kanë ikë prej burgut, por veç janë largu. S'din njeri a me keshë, a me kajtë.” – ka reaguar Mushkolaj.