Stuhia e fuqishme dimërore në ShBA merr 16 jetë, vazhdon rënia e temperaturave
Shkak i një shpërthimi të stuhisë dimërore në Arktik që ka përfshirë ShBA-në, temperaturat e ulëta u bënë shkak për vdekjen e të paktën 16 personave, ndërkohë që në prag të Krishtlindjeve, më shumë se 775 mijë shtëpi e biznese kanë mbetur pa energji elektike.
Ndërsa ajri ftohës ka vazhduar të mbërthejë vendin në fundjavë festash, stuhia ka goditur pjesë të Midwest me borë të dendur, ku bora më e madhe është parë veçanërisht në zonën Buffalo të Nju Jorkut, me erëra deri në 65mph, që e kanë sjellë dukshmërinë afër zeros.
Sipas CNN, që nga e premtja deri të shtunën në mëngjes, të paktën 500 shoferë janë gjetur të bllokuar në automjetet e tyre, pavarësisht një ndalimi të vendosur për ngasje të makinave gjatë stuhisë.
Është bërë e ditur se që nga e mërkura, të paktën 16 njerëz kanë vdekur në shtatë shtete të ndryshme, si rezultat i kushteve të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën.
Humbjet e jetëve janë shënuar në Kansas, Kentaki, Misuri dhe Nju Jork.
Parashikuesit kanë thënë se stuhia, një "ciklon bombë" ose "bombogjenezë", është shkaktuar nga një përplasje e ajrit të ftohtë dhe të thatë nga veriu dhe ajrit të ngrohtë dhe të lagësht nga jugu.
Shërbimi Kombëtar i Motit, ka njoftuar se më shumë se 200 milionë njerëz ishin nën një formë këshillimi ose paralajmërimi për dimër në "një nga shkallët më të mëdha të paralajmërimeve dhe këshillave të motit dimëror ndonjëherë".
