Stuhia dimërore përfshin ShBA-të, temperaturat bien deri -45 gradë Celsius
Një stuhi e fuqishme dimërore e Arktikut ka përfshirë ShBA-të dhe një pjesë të Kanadasë, duke sjellë temperatura të ftohta dhe vonesa e anulime të fluturimeve në ditët më të ngarkuara me udhëtime të vitit.
Më shumë se 100 milionë njerëz në vend, janë nën alarmet e motit dimëror, ndërsa pritet që bora e madhe të shkaktojë kaos udhëtimi gjatë fundjavës.
Në pritje të stuhisë, aeroportet kryesore kanë anuluar fluturimet, ndërsa parashikuesit e motit kanë thënë se këto Krishtlindje, mund të jenë më të ftohtat ndër dekada.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), në disa pjesë të vendit temperaturat kanë rënë deri në -45 gradë Celsius.
Meteorologët po ashtu kanë paralajmëruar, se deri të premten stuhia e dimrit mund të bëhet një "ciklon bombë" - një term jozyrtar për një lloj të caktuar stuhie të fuqishme, që forcohet me shpejtësi.
Stuhia ka sjellë edhe reshje bore e erëra të fuqishme, të cilat pritet të shkaktojnë dëme dhe ndërprerje të energjisë në Midëest dhe Kanada.
