Stuhia e ashpër dimërore shkakton ndërprerje rryme e pengesa në rrugët e ShBA-së
Një stuhi e ashpër dimërore ka shkaktuar probleme për qarkullimin e automjeteve në rrugë të rrëshqitshme, ka lënë qindra mijëra shtëpi pa rrymë, ka shkaktuar anulim të fluturimeve e mbyllje të shkollave.
“Do të ballafaqohemi me një javë SHUMË të ngarkuar. Kemi lëshuar paralajmërime për erëra dëmtuese, reshje të dendura bore në male, kushte shumë të rrezikshme për lundrim dhe lista vazhdon”- tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Për herë të parë që nga viti 1989, shërbimi i motit lëshoi paralajmërim për stuhi dëbore për malet e Kalifornisë Jugore, që mbetet në fuqi deri të shtunën. Disa zona bregdetare mund të ballafaqohen me valë të larta deri në tri metra e pak prej tyre me valë deri në 4,3 metra deri të enjten, thanë parashikuesit e motit.
Stuhia, njëra nga disa që pritet ta godasin vendin gjatë kësaj jave, shkaktoi kaos nga lindja deri në perëndim. Për një moment të mërkurën, më shumë se 65 milionë njerëz në më shumë se 20 shtete ishin në zonat ku kishte në fuqi paralajmërime për mot të lig, raporton agjencia "Associated Press".
Në Wyoming, Departamenti i Transportit tha se rrugët në një pjesë të madhe të jugut të shtetit ishin të pakalueshme. Punëtorët e shpëtimit u përpoqën që të arrinin te njerëzit e ngujuar në vetura, por era e fuqishme dhe bora krijuan “situatë afër të pamundshmes” për ta, tha një zyrtar policor.
Reshjet befasisht të dendura të borës gjatë periudhës së ngarkuar të ditës shkaktuan rrëshqitje të dhjetëra veturave në Portland, Oregon, dhe shkaktoi kolona me orë të tëra në trafik. Shërbimi rajonal i autobusëve ofroi transport falas për në strehimoret e ngrohta për njerëzit e pastrehë.
