Stoltenberg: Trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë, s'lejojmë kthimin e dhunës së viteve 1990
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Në një intervistë për mediumin gjerman "Welt", Stoltenberg ka thënë se situata e tensionuar në Ballkanin Perëndimor po alarmon NATO-n. “Situata në Kosovë është shkak për shqetësim të madh”, tha ai.
Rreth dy javë më parë, një formacion paramilitar terrorist, nën dyshimet e forta për koordinim me qeverinë e Beogradit u futën në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm që alarmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut, doli të ishte një plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut”.
Si përgjigje ndaj ngjarjeve të fundit, Britania e Madhe rriti forcën paqeruajtëse të KFOR-it.
Në dritën e sulmeve të fundit terroriste paraushtarake, Stoltenberg e ka bërë të qartë se “trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë”.
“Dua të them shumë qartë: trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë. Nuk do të lejojmë që dhuna e viteve 1990 të kthehet”, ka deklaruar ai.
Stoltenberg ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t'i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. "Kjo është mënyra e vetme për të arritur paqen e qëndrueshme për të gjitha komunitetet." - ka deklaruar ai.
Sulmi në Banjskë
Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit para dy jave nuk ishte thjesht sulm mbi Policinë e Kosovës e as marrjes së fshatit Banjskë, por ishte plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut” dhe ishte planifikuar që sulmi të kryhej nga gjithsejt 37 lokacione nga ku terroristët synonin t'i zinin, ka shpjeguar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë për media me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazemend Hoxhën.
Këto konkluzione janë nxjerrë nga ekspertët pas analizimit të plotë të të dhënave, pamjeve, armëve, dokumenteve dhe videove me dronë të sekuestruara nga terroristët e udhëhequr nga Millan Radojçiq, ku u shpaluan pamje të stërvitjeve ushtarake dhe simulimeve të sulmeve nga terroristët në një bazë trajnimi në Kopaonik, konkretisht më një pronë të Millan Radojçiqit.
Në këto trajnime, tha Sveçla, janë angazhuar prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ministrit serb të mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefi i shtabit të përgjithshëmn të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.
Ndërsa në një postim gjatë ditës, Sveçla, duke paraqitur foto dhe prova të marra nga vendi i ngjarjes, ka ngritur dyshime për implikimet më të thella të shtetit serb në këtë sulm. Sveçla ka njoftuar se njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që, siç ka treguar ai, "dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës"