Stoltenberg: Kemi parë disa shenja se Rusia i ka kërkuar armë Kinës - NACIONALE

Stoltenberg: Kemi parë disa shenja se Rusia i ka kërkuar armë Kinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Kinën kundër furnizimit të Rusisë me armë vdekjeprurëse, kur udhëheqësit e të dyja shteteve po zhvillojnë bisedime në Moskë.

“Nuk kemi parë ndonjë dëshmi që Kina është duke i dërguar armë vdekjeprurëse Rusisë, por kemi parë disa shenja se kjo ka qenë kërkesë nga Rusia dhe se kjo është një çështje që shqyrtohet në Pekin nga autoritetet kineze”- tha Stoltenbergu para gazetarëve në Bruksel, pa dhënë hollësi të tjera, raporton gazeta "The Guardian".

“Kina nuk duhet t’i japë ndihmë vdekjeprurëse Rusisë, kjo do të ishte përkrahje e një lufte të paligjshme”- shtoi ai.

Sipas zyrtarit të lartë të aleancës, vetëm shtatë nga 30 shtete të NATO-s e kanë arritur cakun për rritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin e 2 për qind të prodhimit vendës bruto më 2022, një shtet më pak se më 2021, para se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës.

Stoltenbergu u bëri thirrje aleatëve që t’i rrisin investimet në fushën e mbrojtjes më shpejt, duke shtuar se NATO-ja fillimisht kishte pritur që edhe dy shtete të tjera ta arrin cakun e shpenzimeve.

“Por për shkak se GDP-ja është rritur më shumë se që është pritur për disa aleatë, dy aleatë, për të cilët ne kemi pritur të jenë në nivelin e 2-përqindëshit, tash janë pak nën atë nivel”- tha ai.

Sekretari i NATO-s nuk tregoi se cilat shtete nuk e kanë arritur këtë qëllim, por rekomandoi që gazetarët t’i referohen raportit vjetor të NATO-s, i cili do të publikohet më vonë të martën.

Lajme të ngjashme