Statuti i Asociacionit “nuk ka pse” të nënshkruhet nga Serbia, e thotë Lajçaku – “Zbatim s’ka se s’ka vullnet, e jo që s’ka nënshkrim” - NACIONALE

Statuti i Asociacionit “nuk ka pse” të nënshkruhet nga Serbia, e thotë Lajçaku – “Zbatim s’ka se s’ka vullnet, e jo që s’ka nënshkrim”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Krejt ujdia e Brukselit dhe e Ohrit është arritur mbi bazën e një pranimi verbal – një ‘Po’ me zë – por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë e ka nxjerrë kusht-frazën e tij të re: zbatim vetëm pas nënshkrimit. Nga Ohri s’e kishte pasur telashe mosfirmosjen; por, tash i është kthyer kësaj kërkese.

Kësaj kërkese ai iu kthye vetëm pasi pesë emisarët euro-amerikanë nga fundi i tetorit sollën një draft-Statut të autonomisë serbe në Kosovë. Ishte në gjendje ta pranonte ashtu siç i ishte ofruar – me referencë të Rezolutës 12/44 në Preambulë dhe me komision arbitrazhi që shkon përtej çfarëdo logjikeje kushtetuese të vendit – por, ama kërkonte “firmosjen”.

Nga takimi me liderët më të mëdhenj të shteteve të Bashkimit Evropian, ai tha se ishte në gjendje “t’i përgjigjej urgjencës” së konkludimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me draft-Statutin e autonomisë; por, se për këtë nevojitet ajo që sipas tij përbën sigurinë e mjaftueshme juridike të të pasurit marrëveshje: firmosjen.

Për çudinë e shkumëkujt ai kërkoi të nënshkruhej edhe ky draft-Statut i autonomisë edhe nga Serbia; një dokument ky i brendshëm i shtetit të Kosovës në të cilin Serbia s’duhet të ketë të bëjë gjë.

Lehtësuesi i Brukelit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë sot për gazetën Express tha saktësisht të njëjtën gjë se për draft-Statutin nuk ka nevojë të ketë nënshkrim ngase është dokument i brendshëm i Kosovës dhe jo marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas pikëpamjes sonë, kjo (nënshkrimi i draft-Statutit) nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, tha Miroslav Lajçak.

Sa i përket formalizimit të Marrëveshjes Bazike dhe asaj të Ohrit – Lajçaku la të kuptojë atë që kishte lajmëruar vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se marrëveshjes si të tilla do të inkorporohen në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE; gjë që do të kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë me njohjen “e derës së pasme” të Kosovës; që rëndom është interpretuar të jetë “njohje de facto”.

Jemi duke diskutuar çështjen e formalizimit shtesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj me Qeverinë e Kosovës. Paralelisht, ishim nikoqirë të ekspertëve ligjorë serbë në Bruksel për të diskutuar aspekte të ndryshme të dokumentit. Kjo është legjitime pasi që ky draft është i detajuar dhe i gjerë. Por të mos harrojmë se pranimi i tekstit të Statutit është vetëm një element i procesit dhe nevojiten hapa shtesë nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit”, tha Lajçaku.

Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar kërkesën e Kurtit për “nënshkrim” duke thënë se “çështjet formale të miratimit të marrëveshjes s’duhet të shërbejnë si pengesë”; e ku në veçanti ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur “shpërqendrues” këtë qëndrim të Kurtit.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se draft-Statuti i autonomisë “mund të konsiderohet i pranuar vetëm pas nënshkrimit (në pako) nga Serbia” të tri teksteve – Marrëveshjes Bazike, Aneksit Zbatues të Ohrit dhe draft-Statutit të Asociacionit.

Lajçaku i tha gazetës Express se draft-Statuti është pranuar “në parim” edhe nga Albin Kurti edhe nga Aleksandar Vuçiqi; dhe se ka dakordim në nivel kryenegociatorësh se palët “pritet të ecin paralelisht” në zbatimin e obligimeve dhe kjo kryekëput dhe eksluzivishtp për Kosovën do të thotë themelimin e Asociacionit.

Në lidhje me pjesën e draft-Statutit ku parashihet një komision arbitrazhi – pikë kjo që e ka lënë të shqetësuar shumëkënd në Kosovë – Lajçaku e konfirmoi se aty është për një arsye.

Draft-Statuti Evropian u referohet mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe autoriteteve qendrore të Kosovës në lidhje me zbatimin dhe interpretimin e Statutit. Pa këtë dispozitë, do të kishte një hendek ligjor sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla”, ka thënë ai.

Për punën e ardhshme të Asociacionit, është e rëndësishme të diskutohen mënyra të ndryshme të interpretimit dhe zbatimit të Statutit. Vetëm përmes diskutimeve të strukturuara mund të zhvillohet dhe të vihet në praktikë një interpretim i përbashkët i Statutit dhe, në këtë mënyrë, të bëhet zbatimi i tij”.

Tejet e çuditshme tingëllon ajo që Lajçak e quan “hendek ligjor” dhe se korniza ligjore e Kosovës “nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla” ndonëse në nenin 113.10 të Kushtetutës së Kosovës saktësohet që juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjerohet me ligj.

Megjitatë, Lajçaku thotë se sa i përket draft-Statutit të autonomisë serbe “jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të arsyetuara dhe sqarime, veçanërisht për ta përmirësuar lexueshmërinë e tekstit dhe për ta bërë më të kuptueshëm”.

Lajme të ngjashme