Standardi i dyfishtë i VV-së për aferat e zyrtarëve të saj: E mbrojnë Berishajn dhe Krasniqin, e përjashtojnë Mujecin - NACIONALE

Standardi i dyfishtë i VV-së për aferat e zyrtarëve të saj: E mbrojnë Berishajn dhe Krasniqin, e përjashtojnë Mujecin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar dje nga radhët e veta asamblistin Besnik Mujeci, i cili është arrestuar në Tiranë me mbi 11 mijë doza të drogës. Disa orë pasi është konfirmuar se për kë bëhet fjalë, VV-ja e ka përjashtuar Mujecin nga partia.

Një veprim i tillë është parë me habi nga shumë njohës të rrethanave politike në vend. Kjo pasi më herët nuk kishte ndodhur që partia në pushtet të distancohej nga zyrtarët që ishin arrestuar dhe dyshoheshin për korrupsion e afera tjera kriminale.

Madje, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të lartë të kësaj partie i kishin marrë në mbrojtje zyrtarët e arrestuar, duke sulmuar organet e drejtësisë dhe media.

Pas arrestimit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, Kryeministri Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit ishte hedhur në sulm të sistemit gjyqësor dhe pretendentit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.

Ai kishte thënë se arrestimi i Krasniqit ishte një luftsë speciale që bëhej ndaj VV-së.

Në të njëjtën mënyrë është mbrojtur edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për përfshirje në një afër milionëshe që ka të bëj me blerjen e energjisë. Nga i njëjti nuk janë distancuar edhe pasi institucionet e Kosovës kanë ngritur dy kallëzime penale për mos deklarim të pasurisë dhe për shmangie nga taksat.

VV-ja nuk është distancuar as nga arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, të cilit gjatë bastisjes i janë gjetur rreth 60 mijë euro. Mujka është arrestuar nën dyshimin për korrupsion, vepër kjo e kryer gjatë kohës sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, kur kjo komunë udhëhiqej nga Agim Bahtiri i VV-së.

Partia në pushtet dhe Albin Kurti nuk kanë marr asnjë masë as ndaj Ministres së Tregtisë, Ndermarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila dyshohet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Madje, Hajdari, ka paditur gazën Nacionale, e cila i ka publikuar disa audio-incizime, të cilat tregojnë për keqpërdorimet që janë bërë për rezervat me vaj dhe grurë.

Zyrtarët e VV-së dhe kryeministri Kurti gjithashtu kanë mbrojtur shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila në bazë të audio-incizimeve është dëgjuar duke u koordinuar me Listën Serbe. Madje, ajo e ka pranuar se ka folur edhe me Milan Radojciqin, njeriun i cili është në listë të zezë të SHBA-së.

Pse u përjashtuar Mujeci?

Ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka bërë me dije se asamblisti Besnik Mujeci është përjashtuar nga partia pasi i njëjti është profil më i ulët se zyrtarët tjerë të VV-së që janë përfshi më herët në afera korruptive.

Ai ka vlerësuar se largimi i Mujecit ka ndodhur nga frika se ky rast do të ndikonte në imazhin e partisë.

“Kur u arrestua Krasniqi ne e kemi pasur një fjalim të Kurtit në Kuvend i cili përpos se thoshte se është luftë speciale e Prokurorisë kundër LVV-së, nuk mund të shpallet fajtor pa thënë Gjykata. Besnik Mujecin po e shpallin menjëherë fajtor. Pse? Sepse kjo po ndikon menjëherë në imazhin politik. Pastaj, ky nuk person i afërt me Kryeministrin Kurti sepse nuk është në Qeveri, rrjedhimisht më lehtë i dënueshëm. Sa më afër Kryeministrit, më vështirë i dënueshëm bëhesh sepse lidhja me Kryeministrit është më e fortë.”, ka deklaruar ai në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Ai ka vlerësuar se kjo tregon se VV-ja po përdor standarde të dyfishta për zyrtarët e saj.

Ky është problemi i LVV-së dhe itharëve të saj. Që përdorin standarde të dyfishta në secilin rast varësisht se për kë flasin. Nuk po them se e bën dallimin në mes pozitës dhe opozitës, por e bëjnë edhe brenda LVV-së. Ka rëndësi se cili je për të ditur gjykimin publik që do të marrësh. Për shembull për Rozetën flasin ndryshe, për Martin Berishaj flasin ndryshe, për Nagip Krasniqin flasin ndryshe. Kështu e ka qëndrimin lideri, pastaj edhe të tjerët”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kjo qasje ka ekzistuar edhe sa VV-ja ka qenë në opozitë.

Komisioni i Disiplinor i VV-së

Dje në orët e pasdites, sekretari i VV-së, Alim Rama, ka treguar se një komision disiplinor ka marrë vendimin për përjashtimin e Mujecit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vendimi në komision është marrë me unanimitet.

Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisioni Disiplinor i LVV menjëherë e ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen të mbajtur sot me 15.08.2023 me vota unanime të 5 anëtarëve mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, ka shkruar Rama.

Më përjashtimin e Mujecit është befasuar edhe gazetari Adriatik Kelmendi.

Në profilin e tij në "Facebook", Kelmendi ka shtruar disa pyetje në lidhje me këtë rast.

Disa pyetje serioze: E çka nëse Lëvizja “Vetëvendosje!” i ka hyrë në hak asambleistit Mujeci duke e përjashtuar vetëm disa orë pasi që ai u arrestua në Shqipëri për trafik narkotikësh? A nuk duhet të presupozohet se mbase Mujeci është arrestuar gabimisht dhe të pritej të sqarohej? Pasi që nuk u pritën sqarimet, a ka gjasa që dikush paska pasur njohuri për aktivitetin e paligjshëm të Mujecit qysh më herët dhe për këtë arsye nuk kanë pritur shfajësimin eventual të tij?”, ka shkruar Kelmendi.

Besnik Mujeci, asamblist i VV-së në Prishtinë, është në mesin e pesë personave të arrestuar nga Policia e Shqipërisë për përfshirje në kontrabandë të drogës.

Ai është kapur me mbi 11 mijë doza ekstazi, e cila kap vlerën rreth 400 mijë euro.

Lajme të ngjashme