Srpskan 'në pako' bën: Qysh kërceu VV-ja nga 'historike, i hoqëm nga Kryesia' në pati konsesus dhe vazhdojmë - NACIONALE

Srpskan 'në pako' bën: Qysh kërceu VV-ja nga 'historike, i hoqëm nga Kryesia' në pati konsesus dhe vazhdojmë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

  • Historike.”

Që nëntë deputetë të Listës Serbe të mos mund të merrnin njërin post të pakicës serbe për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, çështje kjo e kodifikuar në Kushtetutë, ishte e një rëndësie e arritje “historike” për partinë Vetëvendosje në legjislaturën e kaluar që edhe përfundimisht u shpërbë në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Dy Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese u deshën që të vërtetohej ajo çka shkruhej në Rregulloren e Kuvendit të përpiluar nga vetë Vetëvendosja në vitin 2022: që propozimi i Nënkryetarit serb të Kuvendit duhet të vjen nga shumica e deputetëve të pakicës serbe.

Vetëvendosja e çoi në skaje të manovrave procedurale që të zgjidhej Nenad Rashiq si serb i pranueshëm, bashkë me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rashiq u zgjodh Nënkryetar serb, dhe Vetëvendosja e quajti “historike...e lamë Listën Serbe jashtë Kryesisë së Kuvendit”.

Menjëherë Rashiq u propozua për ministër në qeveritë-në-tentativë Kurti 3 dhe Konjufca 1. Kuvendi u shpërbë, Lista Serbe u bë ‘gogoli’ i partivë ish-opozitare në atë që është quajtur në opinion si “shantazhi patrotik” i Vetëvendosjes kundrejt tyre.

“Vini re, më së shumti çka bëjnë këta kundër Listës Serbe është abstenimi, nuk votojnë kundër, por veç abstenojnë", thoshte Albin Kurti ndërsa Albulena Haxhiu i fotografonte Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listëns Serbe nga ulëset e larta të Kuvendit duke shkruar “në harmoni të plotë”.

Deri para dy jave Vetëvendosja as nuk ia votoi rezultatet zgjedhore Listës Serbe, duke i lënë ata të shkojnë në ankesë në PZAP, dhe PZAP ta kthejë sërish çështjen në vendimarrje të KQZ-së, dhe pastaj për t’u votuar sërish rezultati i tyre. Sami Kurteshi tha se tash votojnë “me gjithë rezervat që i kemi”.

Pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kuptimi i së cilës kondensohej në atë çka shkruan në Rregullore, se shumica nuk mund të vendos për pakicën, por shumica e asaj pakice për vetes, VV thotë se tash do ta zbatojnë.

Gjithmonë i kemi zbatuar”, tha dje Glauk Konjufca, ndërsa Dimal Basha, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se në mbledhjen përgatitore për caktimin e rendit të ditës së seancës konstitutive, “pati konsensus” që Nënkryetarët e pakicave të votohen në pako.

Nga pako ndarja ishte bërë me urdhër të Vetëvendosjes kur Elbert Krasniqi nga komuniteti egjiptian, politikan ky me ekskluzivitet lojal ndaj Vetëvedosjes, kërkoi që votimi për Nënkryetar të pakicës serbe të ndahej nga ai i pakicave jo-serbe.

Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak, po ashtu javë më parë pati thënë për media se do të vijohet me votim të ndarë për Nënkryetar të pakicave. Por, në mbledhjen e djeshme përgatitore u vendos që të kthehet “pakoja”. Kësisoji përfshihet edhe Nënkryetari serb i propozuar nga Lista Serbe, dhe shpërndahet përzgjedhësi.

Dimal Basha, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ka pasur konsensus të 14 kryetarëve të subjekteve politike që në seancën konstituve të së mërkurës, të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.

Aktgjykimi i Gjk-së

Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, duke sqaruar se përfaqësuesi nga komuniteti serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve serbë. Vendimi ka ndezur debat: shoqëria civile dhe juristë e kanë mirëpritur si sqarim të standardit kushtetues, ndërsa përfaqësues të pushtetit e kanë kundërshtuar.

Ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka pretenduar se Gjykata ka tejkaluar mandatin, duke interpretuar Rregulloren e Kuvendit, për të cilën, sipas tij, interpretimi përfundimtar gjatë seancës i takon kryetarit. Ai ka theksuar se nuk është konstatuar shkelje kushtetuese, por është interpretuar “fryma” e rregullores.

Eugen Cakolli nga KDI e ka quajtur reagimin problematik, duke theksuar se deputetët serbë nuk refuzuan të propozojnë, por ofruan nëntë kandidatë që nuk morën votat e shumicës parlamentare. Sipas tij, moszgjedhja nuk barazohet me mospropozim dhe nuk aktivizon mekanizma imponimi. Gjykata rikujtoi se mbrojtja e përfaqësimit efektiv të komuniteteve joshumicë është detyrim kushtetues i shumicës, ndërsa komunitetet duhet të veprojnë brenda kornizës ligjore.

Lajme të ngjashme