Sovraniteti në kontejnerë: Qeveria s`do të mund t`i hapë shkollat në veri për votimet e së dielës - NACIONALE

Sovraniteti në kontejnerë: Qeveria s`do të mund t`i hapë shkollat në veri për votimet e së dielës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Qeveria Kurti gjatë vitit të fundit është krenuar me shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit. Organizimi i zgjedhjeve lokale në prill të vitit të kaluar dhe më pas dërgimi i kryetarëve në zyrat komunale është vlerësuar si sukses i madh.

Por, pavarësisht konstatimeve qeveritare për normalitet në atë pjesë të vendit, votimet e 21 prillit për shkarkimin e katër kryetarëve aktual nuk do të mbahet në kushte normale.

Kjo pasi drejtorët e 33 shkollave në veri kanë refuzuar që “referendumi” i së dielës të organizohet në objektet e tyre.

Në këtë mënyrë, KQZ-ja ka menduar për qendrat alternative të vendvotimeve.

Një burim i mirëinformuar i ka thënë gazetës Nacionale se KQZ-ja do të vendos kontejnerë në disa vende, të cilët do të shfrytëzohet si vendvotime për procesin e së dielës. Në këtë mënyrë ishte veruar edhe në zgjedhjet kur janë zgjedhur kryetarët aktual.

Tashmë po duhet që të gjitha shkollat nuk do të jenë të qasshme . KQZ-ja për të dielën pritet t`i hap disa qendra alternative të votimit që pritet të jetë vendosja e kontejnerëve”, ka thënë burimi për gazetën.

Gazeta është munduar të marrë një përgjigje nga KQZ-ja për këtë çështje, por nuk ka mundur.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

Kur është pyetur dhe në një konferencë për media, nëse përsëri do të ketë kontejnerë për votimet e se dielës në veri, ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme ta mbështesin KQZ-në në të gjitha mënyrat.

Qoftë si ministri e Punëve të Brendshme, me policinë si një nder agjencitë e saj, qoftë si Ministri e Administratës Publike, ne jemi në asistim të çfarëdo vendimi të Komisionit Qendror Zgjedhor për të organizuar mbarë, mirë dhe qet këto votime. Pra, çfarëdo kërkese e ligjshme që na vjen nga KQZ-ja patjetër ne, por besoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme për të asistuar”, ka thënë Sveçla.

Opozita e kritikon Qeverinë

Subjektet politike opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosshtrirje te sovranitetit në atë pjesë.

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka vlerësuar se kur Qeveria nuk mund t`i hap as shkollat për votime, nuk mund të flitet për shtrirje të sovranitetit.

Kryeministër, ku e ke sovranitetin në veriun e Kosovës? Nuk je në gjendje t’i hapësh shkollat si qendra të votimit më 21 prill edhe këtë po vazhdon ta quash shtrirje sovraniteti? “21 Prilli” është vetëm shpërfaqje e dobësisë të Republikës së Kosovës nga kryeministri, Albin Kurti”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, kjo tregon se Qeveria Kurti është dorëzuar përball Listës Serbe, e cila ka kërkua të bojkotohet votimi i së dielës.

“Për të gjithë ata që nuk janë të informuar, më 21 prill, Qeveria e Kosovës nuk po arrin të sigurojë hapjen e shkollave në veriun e Kosovës ku qytetarët do të mund të votonin. Albin Kurti është dorëzuar përballë Listes Serbe të Milan Radojiçiqit, me të cilin ai dhe partia e tij, Vetëvendosje, janë zënë duke u koordinuar për politika të brendshme të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.

Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj, gjatë kësaj jave ka treguar se 33 shkolla në veri të vendit kanë refuzuar mbajtjen e ‘referendumit’ më 21 prillit, ku do të votohet për largimin ose jo të katër kryetarëve të veriut.

Në mbledhje të KQZ-së, ai ka se nga 18 qendra të votimit në Leposaviq, vetëm tre prej tyre janë të qasshme.

Në komunën e Zubin Potokut, nga 12 qendra të votimit të miratuara, dy pre tyre janë të qasshme, por 10 të tjerat drejtorët e shkollave kane refuzuar t’i japin për përdorim. Në komunën e Zveçanit, nga gjashtë qendra të votimit të miratuara, dy prej tyre janë të qasshme dhe katër të tjera kanë refuzuar. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut janë shtatë qendra, tri prej tyre janë të qasshme, ndërsa katër të tjera kanë refuzuar”, është shprehur Ahmetaj.

Pasi Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve, ka kërkua që të bojkotohet “referendumi” i së dielës, janë zbehur gjasat se ky votim do të jetë i suksesshme. Nëse me votimin e të dielës nuk shkarkohen, kryetarët aktual do të mund të çojnë mandatin e tyre deri në fund.

Lajme të ngjashme