Sot prova e radhës: A i ka siguruar votat VV-ja për Albulena Haxhiun? - NACIONALE

Sot prova e radhës: A i ka siguruar votat VV-ja për Albulena Haxhiun?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot në Kuvendin e Kosovës do të tentohet sërish konstituimi i Kuvendit.

Pas tri dështimeve për të siguruar 61 vota për Albulena Haxhiun, mbetet të shihet nëse sot ka ndonjë ndryshim.

Përderisa në dy herët e para Haxhiu mori nga 57 vota, në herën e tretë ajo nuk doli fare në votim.

Kjo pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi kohë më shumë për konsultime dhe marrëveshje politike me partitë e tjera.

Megjithatë, as nuk pati konsultime, e lëre më marrëveshje.

Si rezultat, sot vështirë se mund të ketë ndryshim të situatës.

Mbetet të shihet vota e Nismës e cila deri më tash ka abstenuar, përderisa Duda Balje në herën e fundit nuk ishte fare në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh në mënyrë tonike se Albulena Haxhiut, as që bëhet fjalë të ketë votë për Kryetare të Kuvendit...”i kanë 47 të tjerë, qikjo jo”.

Ata e kanë të drejtën që emër me propozu, por jo m’e imponu. Sepse nuk mundet me çdo kusht me vendos për këdo që e propozon... Kandidatja e cila ka dështuar disa herë radhazi, do të dështojë sot e nesër, e kurdoherë tjetër. Nuk mundet me e qenë më e rëndësishme se krijimi i institucioneve”, tha Krasniqi.

“Haxhiu në asnjë moment e rrethanë nuk do të ketë mbështetjen tonë. Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie të kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellur me skandale të ndryshme. Prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, tha Memli Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar qëndrimin se nuk e votojnë asnjë kandidat të VV-së për kryetar të Kuvendit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë treguar më ‘zemërgjerë’ për çështjen e një kandidati nga Vetëvendosje, por që ai të jetë konsensual. Ramush Haradinaj ka thënë se AAK do të votonte figura si Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi.

“Nëse LVV-ja do të kishte kandidate për kryeparlamentare, Saranda Bogujecvin apo Shqipe Selimin, AAK-ja do t’i votonte”, tha Haradinaj.

Megjithatë, vetë Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci kanë thënë se opozita nuk mund t’ia përcaktojë kandidatët VV-së, pasi kjo e fundit ka fituar 48 deputetë në zgjedhje.

Mbetet të shihet nëse do të arrijnë që t’i sigurojnë 61 vota, apo 48 orëshi do të vazhdojë edhe këtë javë.

Lajme të ngjashme