Sot në Nacionale pjesa e dytë hulumtimit: Rregullorja e re dhe tendenca për ta kontrolluar Njësinë që e lufton korrupsionin - NACIONALE

Sot në Nacionale pjesa e dytë hulumtimit: Rregullorja e re dhe tendenca për ta kontrolluar Njësinë që e lufton korrupsionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas publikimit të hulumtimit lidhur me tendencë për të larguar disa prej hetuesve që po merren me aferat korruptive nga Njësia e Veçantë Hetimore, sot Nacionale do ta publikojë hulumtimin e radhës.

Pjesa e dytë e hulumtimit që ndërlidhet me Njësinë e Veçantë Hetimore e cila e lufton korrupsionin, flet për një rregullorje e cila është në finalizim e sipër.

Sipas Projektligjit të Prokurorisë Speciale që është miratuar kohë më parë, e parasheh hartimin e një rregulloreje që flet për bashkëpunimin mes Policisë e Prokurorisë.

“Procedura e punës dhe mënyra e funksionimit dhe bashkëpunimit të Njësisë së veçantë hetimore me Prokurorinë Speciale përcaktohet me akt nënligjor të miratuar nga Qeveria, pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në konsultim me Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në Projektligj.

Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se tashmë kjo rregullore është duke u trajtuar, dhe për këtë qëllim janë mbajtur disa takime ndërmjet përfaqësueseve nga të gjitha institucionet.

Pas vendosjes së hetuesve të rinj të afërt me shefin e Njësisë, Besim Berisha, synimi është që të kontrollohet Njësia e Veçantë Hetimore dhe të vështirësohet bashkëpunimi me Prokurorinë.

Nacionale në hulumtimin e sot sjell detaje:

Si po tentohet të kontrollohet Njësia e Veçantë Hetimore nga udhëheqësia e Policisë dhe njerëzit e afërt me politikën?

Sa shefave duhet t’i raportojë hetuesit që lufton korrupsionin, para se raporti të shkojë te Prokurori?

Cilat kanë qenë kërkesat e Prokurorisë dhe pse po kundërshtohen nga pushteti?

A rrezikohen hetimet konfidenciale nëse rregullorja e re merr formë?

Kush duhet të vendos për largimin apo lëvizjen e hetuesve brenda Njësisë?

A vendos për lëvizjet e hetuesve shefi i Njësisë, që dyshohet për afërsi me ministrin Sveçla?

A janë përgjegjës eprorët e afërt me shefin për të koordinuar hetimin?

Për të gjitha këto dhe detaje të tjera lidhur me Rregulloren e re që e rregullon funksionimin e Njësisë dhe bashkëpunimin Polici-Prokurori, Nacionale ofron sot detaje.

Kujtojmë se lidhur me hulumtimin e parë të Nacionales për largimin e disa prej hetuesve që po e luftojnë korrupsionin, ka raportuar në Komision drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ky i fundit ka konfirmuar pothuajse të gjitha detajet nga hulumtimi, por ka thënë se nuk ka listë të largimt. Ai ka theksuar se disa prej hetuesve duhet të risistemohen.

Hulumtimi i parë

Nacionale në vijim do të publikojë me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.

Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave/dokumenteve që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.

Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.

Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.

Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.

Të gjithë këta zyrtarë, janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria.

Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se këta hetues tashmë nuk figurojnë në sistemin elektronik të Policisë së Kosovës, ku figurojnë emrat e këtyre zyrtarëve.

Gazeta ka mësuar se këta hetues do të vazhdojnë t’i hetojnë rastet aktuale. Megjithatë, me ndryshimin e hierarkisë, rastet e korrupsionit të ngjashme, do t’iu delegohen hetuesve të tjerë.

Gazeta Nacionale posedon informacione të tjera lidhur me zyrtarët e tjerë që janë pozicionuar nëpër pozitat udhëheqëse brenda njësisë. Gazeta ka siguruar me emra të gjithë hetuesit, megjithatë do t’i publikojë vetëm me iniciale.

Me largimin e Shemsi Hazirit, erdhi në udhëheqje të Njësisë majori Besim Berisha. Me ardhjen e tij, është ndryshuar komplet zinxhiri udhëheqës i kësaj njësie.

Kapiteni me inicialet B.S është emëruar në pozitën zv/shef i njësisë. Funksionari i ri në këtë pozitë vjen nga Podujeva.

Togeri A.A është emëruar shef i ekipeve, edhe ky me prejardhje nga Podujeva.

Rreshteri me inicialet F.K është emëruar shef i ekipit, gjithashtu nga komuna e Podujevës.

Rreshteri me inicialet A.R është emëruar shef i ekipit, edhe ky nga Podujeva.

Rreshteri V.Z është emëruar shef i ekipit. Nacionale ka mësuar se ky i fundit ka lidhje familjare me udhëheqësin Besim Berisha.

Togeri me inicialet R.O është emëruar shef i ekipit, i njëjti dyshohet se ka lidhje miqësore me majorin Besim Berisha.

Rreshteri M.K është përzgjedhur shef i ekipit. Ky i fundit ishte larguar nga njësia vite më parë, dhe duket se është parë e arsyeshme që ky të kthehet sërish.

Lajme të ngjashme