Sot fillon samiti dyditor i BE-së, Ukraina ndër diskutimet kryesore
Gjashtë javë pas grumbullimit të fundit në udhëheqësve evropianë në Bruksel, ata do të takohen përsëri dy ditë radhazi. Lufta në Ukrainë zë vend të rëndësishëm në agjendën e diskutimeve.
Përpos konfliktit, gazeta “The Guardian” raporton se edhe tensionet mes Francës e Gjermanisë për energjinë bërthamore dhe motorët me djegie pritet të shfaqen në diskutime.
Në ditën e parë të samitit, në diskutime do të marrë pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Sipas Këshillit Evropian, në mesin e temave që do të diskutohen gjatë samitit janë: llogaridhënie e autorëve të mizorive në Ukrainë, shtimi i presionit kolektiv ndaj Rusisë, përdorimi i pasurisë së ngrirë për rindërtimin e Ukrainës, përkrahja ushtarake për Ukrainën, siguria globale e ushqimit, adresimi i çmimeve të larta të energjisë, zvogëlimi i kërkesës për gaz, garantimi i sigurisë së furnizimeve dhe largimi i varësisë ndaj karburanteve ruse.
Theksohet se BE-ja ka ndarë gjithsej 67 miliardë euro për Ukrainën që nga fillimi i luftës. Kjo shumë është e krahasueshme me 27 për qind të prodhimit vendës bruto të Ukrainës për vitin 2021, para fillimit të luftës.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se Kina është duke shikuar me shumë kujdes për të parë se si Uashingtoni dhe bota po i kundërpërgjigjen pushtimit rus të Ukrainës.
Duke folur në fund të vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Moskë, kryediplomati amerikan tha se nëse Rusia lejohet që ta sulmojë Ukrainën pa u ndëshkuar, kjo do ta hapte “kutinë e Pandorës” për agresorët e mundshëm dhe do të çonte te një botë konflikti. Ai shtoi se Kina ende nuk e ka kaluar vijën për t’i ofruar ndihma ushtarake vdekjeprurëse Rusisë.

