Blinken kërkon arrestimin e Putinit nga vendet që janë palë në Gjykatën e Hagës - NACIONALE

Blinken kërkon arrestimin e Putinit nga vendet që janë palë në Gjykatën e Hagës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se çdo vend evropian që është palë në Gjykatën e Hagës duhet ta arrestojë presidentin rus Vladimir Putin nëse ai viziton vendet e tyre.

"Unë mendoj se kushdo që është palë në gjykatë dhe ka detyrime duhet të përmbushë detyrimet e tij,"- është shprehur Blinken.

Megjithatë ai nuk ka dhënë një përgjigje të qartë, nëse autoritetet amerikane do ta dorëzonin Putinin në GjPN, nëse e kapin në ShBA.

"Unë nuk mendoj se ai ka ndonjë plan për të ardhur këtu së shpejti," – ka thënë Blinken.

Kujtojmë se Putin vitet e fundit nuk ka udhëtuar shumë jashtë Rusisë, ndërsa hera e fundit që ka vizituar ShBA-në ka qenë në vitin 2015.

Të gjitha pyetjet rreth arrestimit të mundshëm të Putinit vijnë pasi javën e kaluar, Gjykata e Hagës lëshoi një urdhër arresti ndaj tij, për rolin e tij në një përpjekje për të deportuar më forcë për në Rusi fëmijët ukrainas.

Nga një raport i lëshuar në mes të shkurtit nga Observatori i Konfliktit i mbështetur nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe nga Laboratori Humanitar i Yale, është zbuluar se më shumë se 6,000 fëmijë kanë qenë në paraburgim rus në një moment që kur ka nisur lufta.

Nga raporti po ashtu janë identifikuar 43 objekte që janë pjesë e rrjetit të gjerë ku janë dërguar fëmijët, duke përfshirë objekte edhe në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Lajme të ngjashme