Sorensen me vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, mban takim me komandantin e KFOR-it - NACIONALE

Sorensen me vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, mban takim me komandantin e KFOR-it

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen po zhvillon një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë, ku së pari ka takuar komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

KFOR në një komunikatë për media, ka njoftuar se takimi është mbajtur sot, ku i pranishëm ka qenë edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

“Vizita e sotme në Kosovë ishte e dyta në mandatin e Sorensen; si i tillë, ai nuk e humbi rastin të shkëmbejë mendime me Komandantin e KFOR-it për zhvillimet në situatën e sigurisë në mbarë rajonin.

Komandanti i KFOR-it nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm” – thuhet në njoftim.

Ndërkohë, mediat në Kosovë kanë raportuar se Sorensen pritet të takohet me zëvendëskryeministrin në largim, Besnik Bislimi.

Nacionale ka dërguar pyetje te zëdhënësit e BE-së për të mësuar më shumë rreth agjendës, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.

Lajme të ngjashme