Sondazhi i anëtarit të koalicionit AAK-Nisma: VV e para por larg 50%-shit, LDK e dyta, PDK e treta
Në sondazhin e fundit në vend të realizuar nga Artan Nimani i aderuar së fundi në koalicionin AAK-Nisma, vërehet një rënie e Lëvizjes Vetëvendosje e cila siç duket do ta ketë problem të përsëris rezultatin e 14 shkurtit. LDK, e ka kaluar PDK-në sipas sondazhit, e AAK dhe Nisma do të jenë në Kuvend me 14 deputetë, gjithnjë sipas qendrës për hulumtim dhe informim publik (ISRN), Instituti i Statistikës “Rahmil Nuhiu”, Instituti i Ballkanologjisë dhe Instituti për Aftësim Profesional dhe menaxhim, të cilët kanë zhvilluar një sondazh me 1350 respodentë në shtatë komuna të Kosovës, konkretisht në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan e Gjakovë, raporton Ekonomia Online.
Në këtë sondazh është parashikuar edhe ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës që aplikohet në zgjedhje në Kosovë.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitonte 38.07 për qind. PDK 17.19 për qind, LDK 18.22 për qind. AAK-Nisma 12.44 për qind, ndërsa të tjerat përqindjen tjetër.
Ndërsa për kryeministër, qytetarët kanë përzgjedhur sërish Albin Kurtin, me 36.30 për qind. Në vend të dytë është Lumir Abdixhiku i LDK-së me 19.19 për qind, ndërsa Memli Krasniqi në vendin e tretë me 18.07 për qind.