Skandali i RTK-së: Të distancuarit si ‘kokë turku’ - NACIONALE

Skandali i RTK-së: Të distancuarit si ‘kokë turku’

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot një javë, televizioni publik – RTK, ku drejtor e ka aktivistin e Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, u shndërrua në mashën më brutale të pushtetit ndonjëherë në historinë e tij. Duke sulmuar dy media, Nacionalen dhe Periskopin, përmes një mediumi boshnjak të quajtur ‘Slobodna Bosna’, i cili po thirrej ‘në burime’ për ‘transaksion milionësh’ nga Serbia për Nacionalen dhe ‘kontroll të drejtpërdrejtë serb’ ndaj Periskopit, lajmi i rremë do të përbënte një prej skandaleve më të mëdha në historinë e RTK-së dhe njëherit, do të përbënte rrezik real për sigurinë e mbi 40 gazetarëve që punojnë në të dyja mediumet. Mes dhjetëra zhvillimeve e inkrimineve, as pas një jave, nuk ka një përgjegjësi nga televizioni publik…

Shumë gazetarë të RTK-së u distancuan nga lajmi i rremë që e transmetoi televizioni publik si tendencë e pushtetit për ‘serbizimin’ e medias kosovare, brutaliteti i së cilës nënkuptonte – mbi të gjitha – rrezik për sigurinë fizike të gazetarëve që u atakuan nga ‘fake neës-i’ më i madh në historinë e televizionit publik.

Një mesazh i gjatë i redaktorit të RTK-së, Jeton Musliu,do të qartësonte shumë gjëra rreth lajmit që doli mbrëmjen e së hënës së kaluar, si urdhër që i kishte shkuar nga Rilind Gërvalla, dora e fortë e pushtetit në mediumin publik.

Musliu do të elaboronte fije për pe gjithë rrjedhën e këtij lajmi, duke e bërë të pakutpimtë thuajse tashmë edhe formimin e një Komisioni ad-hoc për ‘trajtimin e çështjes’.

Sidoqoftë, Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së, vazhdon të besojë se Komisioni do ta trajtojë çështjen, megjithëse edhe pas një jave, s’ka asgjë të re në këtë drejtim.

Sulmi ndaj të distancuarve

Në vend të përgjegjësisë për ‘fake neës-in’, lufta e pushtetit në RTK dhe jashtë saj, do të kanalizohej në një drejtim tjetër, të atyre që u distancuan nga lajmi.

Këtë e vërtetojnë të paktën tri mesazhe: ai i Rilind Gërvallës, Leonora Bërbatovcit (u.d. kryeredaktore e RTK-së) dhe Dimal Bashës, deputet i Vetëvendosjes.

Gërvalla po kërkonte ‘të gjithë të distancuarit ndaj lajmit’ që të flisnin për ‘historikun e RTK-së’.

I nderuar Ermal, nuk është e ndershme që të më ftoni gjithmonë në msn që të inkuadrohem në debat, përderisa jeni në kolltuqe dhe përdorni informata të paverifikuara për RTK-në dhe përdorni narrativa të paqena. Ju inkurajoj që të lini anash analistët ‘e paguar’ që janë ‘kompetentë’ të flasin për gjithçka. Por ftoni në debat të gjithë strukturën aktuale editoriale të RTK-së, përfshirë edhe ata të distancuarit me hashtag që të ballafaqohen me fakte dhe argumente për tërë historikun e RTK-së, një debat i tillë më besoni që do të sillte shumë të pathëna dhe fakte interesante për publikun”, do të ishte mesazhi i Gërvallës për autorin e emisionit Debat Plus, z.Ermal Panduri.

E heshtur për skandalin në televizionin publik, ku ushtron postin e kryeredaktores, znj.Leonora Bërbatovci, do të rrinte për afro pesë ditë.

Por e zhurmshme, përballë kolegëve të saj të distancuar, që ngjashëm si Gërvalla, po i ftonte ‘në betejë’. Sa për kureshtje, as kësaj s’i mjaftonin hapësirë e RTK-së, po kërkonte debat në një televizion privat.

“Pse eshte i nevojshëm një ballafaqim sy me sy për RTK-në?

Shumicën prej të distancuarve nga kolegët e mi në RTK i njoh jo vetëm si kolegë, por edhe si miq. Për bashkëpunim as nuk e diskutoj, sepse kemi punuar ngushtë me vite të tëra në pozicione të ndryshme. I njohim të mirat por edhe të metat e njëri tjetrit. Një pjesë të madhe të tyre i kam pasur dikur eprorë. Edhe kur s'jam pajtuar me ta ua kam thënë, pa asnjë dilemë. Andaj njihemi e shihemi me vite të tëra sy më sy.

Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s'u dëgjuam e lëre më që s'u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si "folloëers" të nismëtarëve.

Andaj duke parë mungesën e një komunikimi të brendshëm, vendosa që të pranoj ftesën për ballafaqim publik. Por asnjë prej tyre nuk ishin të gatshëm për ballafaqim. Kjo sot m'u konfirmua nga drejtuesi i emisionit Debat Plus, kolegu Ermal Panduri që asnjë prej të distancuarve nuk pranuan të dalin ballë për ballë e të diskutojmë për RTK-në. Andaj, e kuptova se paskan vendosur të monologojnë nëpër rrjete sociale, ashtu siç bënë të hënën.

Gjithsesi, shpresoj se do të shihemi sy më sy, me shumë të pathëna që tashmë janë të paevitueshme nga dalja në publik. Publiku e meriton të na shoh përballë njëri-tjetrit.

Unë edhe një herë e shpreh gatishmërinë për debat me kolegët e distancuar, kurdo dhe kudo. Qoftë diskutim të brendshëm, ku do të ishte para se gjithash profesionale të diskutohej qysh të hënën, qoftë në studio televizive.

Leonora Bërbatovci

U.d kryeredaktore në RTK”

E për deputetin e Vetëvendosjes, Dimala Basha, të distancuarit po shiheshin si ‘akt çlirimi’ i RTK-së, si fakt për mosndërhyrjen e pushtetit në këtë medium.

Duke i dhënë drejtim debatit që po kërkonin Gërvalla dhe Bërbatovci, Bashën e tradhton akti i shpërfaqjes së një sulmuesi ndaj gazetarëve, momenti kur i atakon si njerëz që deshtën të heroizohen në Nacionale dhe Albanian Post.

Distancerat dhe liria që shpërfaq – do ta titullonte Basha shkrimin duke futur në vorbullin e brutalitetit të kontrollit të RTK-së, gazetarët që punojnë aty ndër vite – si ‘njerëz që duhej të tregonin se a ishin me Ne apo me Ata’.

Basha ua gjen vendin: ‘janë me Ata’.

“Unë jam krenar që u dashtë me ardh Levizja me emëru një bord që gazetarët e RTK-së me pas mundësi me u shpreh lirshëm dhe me u distancu nga përkthimet që s’ju pëlqejnë!

Pra kjo dëshmon miq se ka ç’kapje, dhe është arritje e madhe, sepse kur ka pas kapje s’kanë guxu kurrë me çel gojën, se për veshi i kishin fluturu!

Mirëpo liria e ‘distancerave’ na dha të kuptojmë edhe se çfarë gazetarë janë!! Për shembull, për me u ndje keq për nivelin e “distancerave,” ka qenë momenti kur iu bashkuan Nacionales, Albanian Post e Metros për me ia qajtë hallin RTK-së!

Berat Buzhala me Baton Haxhiun & Co iu bën thirrje distancerave që t’dalin kundër RTK-së sepse nuk iu pëlqeu një përkthim, dhe gazetarët e lirë të RTK-së dolën në sulm kundër shtëpisë së tyre, për tu shpall ‘heronjë’ në ballinat e Nacionales, Albanian Post dhe Metros!

Kjo na dëshmon se liria e shprehjes është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse të shpërfaq! Nuk kishim pas mundësi m’i njoftë ndryshe, përveq se m’i lënë t’lirë t’shprehen që me na kallzu vet ku dhe me kënd qëndrojnë!”.

Ballafaqimit publik që po e kërkonte Rilind Gërvalla me shokë e shoqe, gazetarja Pranvera Munishi, do t’i përgjigjej kështu me një koment te Leonora Bërbatovci:

“E dashur shefice, ashtu sic e therrasim njera tjetren ne baza ditore. E kam vetem nje pyetje: Per cfare te ballafaqohemi publikisht?

Ne nuk jemi pale, andaj cdo perballje mes nesh eshte tendence per te shkaterruar institucionin tone, per te cilin me dekada punojme dhe mundohemi ta mbrojme.

Problemi nuk zgjidhet duke dialogu neper studio televizive te mediumeve te tjera. Problemi zgjidhet duke pranuar edhe leshimet por duke u zotuar bashkarisht se do t’i bejme balle secilit presion qe vije ne adrese te shtepise tone mediale.

Te gjithe jemi deshmitare se edhe ne te kaluaren kemi protestuar, madje vetem se eshte kerkuar nderhyrje ne radhitjen hierarkike te lajmit.

Duke te njohur mire, thelle jam e bindur qe je e vetedijshme per shkeljen profesionale qe eshte bere ate nate, prandaj une jam distancuar, pasi qe me dhjetra here si pergjegjese editoriale kam refuzuar te identifikohem me lajme te cilat i ka gatuar politika.

Mendoj se kolegu yne nga TV Dukagjini e ka huq fokusin e trajtimit te problematikes.

Ermal Panduri duhet te therras ne ballafaqim ata qe e prune ne kete gjendje Transmetuesin Publik, deputetet e Partive Politike qe jane pjese e Kuvendit te Kosoves.

Ata jane pergjegjes per situaten e krijuar ne RTK.

Ne bashke, kemi rrugetuar ne kete profesion, prandaj mendoj qe eshte momenti i fundit ta mbrojme shtepine tone mediatike.

T’i themi STOP nderhyrjeve nga jashte.

Secili nga ne kemi bagazh profesional dhe dinjitet njerezor, por per fat te keq prej vitesh jemi kaperthyer nga hienat te cilet vec te miren nuk ja dojne RTK-se!”, do të shkruante ajo.

Lajme të ngjashme