Të pathënat e Rilind Gërvallës: Qysh i ftoi në debat ‘të distancuarit’, jo në RTK, por te Ermali - NACIONALE

Të pathënat e Rilind Gërvallës: Qysh i ftoi në debat ‘të distancuarit’, jo në RTK, por te Ermali

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Me një ironi therëse, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, mbrëmë në Debat Plus, e pyeti Ermal Pandurin, nëse RTK kishte ndonjë program në atë kohë. Kjo, për faktin se Ermalit, po i shkonin mesazhe të vazhdueshme – nga sidomos Rilind Gërvalla - dhe pyetja e Ardianit ishte me vend: A nuk kishte në terminin e Debat Plusit, RTK-ja diçka të hajrit, që krejt po e përcillnin TV Dukagjinin.

Në dy ditë radhazi të këtij emisioni, njerëz nga RTK-ja, po i lajmëroheshin Ermalit, ‘duke vozitur’ por megjithatë, nga vetura arrinin të çonin në telefonin e tij mesazhe si ky më poshtë, i Rilind Gërvallës:

“I nderuar Ermal, nuk është e ndershme që të më ftoni gjithmonë në msn që të inkuadrohem në debat, përderisa jeni në kolltuqe dhe përdorni informata të paverifikuara për RTK-në dhe përdorni narrativa të paqena. Ju inkurajoj që të lini anash analistët ‘e paguar’ që janë ‘kompetentë’ të flasin për gjithçka. Por ftoni në debat të gjithë strukturën aktuale editoriale të RTK-së, përfshirë edhe ata të distancuarit me hashtag që të ballafaqohen me fakte dhe argumente për tërë historikun e RTK-së, një debat i tillë më besoni që do të sillte shumë të pathëna dhe fakte interesante për publikun.”

Duke qenë që dhjetëra gazetarë – mes tyre edhe redaktorë- u distancuan nga lajmi i rremë që RTK transmetoi nga një medium boshnjak, duke bërë sulmin më brutal e dehumanizues ndaj kolegëve të tyre në Nacionale dhe Periskopi, mesazhi i Gërvallës, duket si një presion ndaj të distancuarve dhe së dyti, flet për gjendjen e rëndë në RTK, të cilën, mes tjerash, më së miri e shpërfaqi shkrimi i redaktorit Jeton Musliu. (Edhe me këtë pati punë Gërvalla, por shih mesazhin në një medium tjetër, Kallxo).

Një fjali tjetër interesante nga mesazhi i Gërvallës, ishte edhe ajo në përfundim të mesazhit në telefonin e Ermalit: “…që të ballafaqohen me fakte dhe argumente për tërë historikun e RTK-së, një debat i tillë më besoni që do të sillte shumë të pathëna dhe fakte interesante për publikun”.

Pra, drejtori i RTK-së, mban në vete ‘shumë të pathëna dhe fakte interesante publike’ dhe që nënkupton se janë për televizionin publik. Ama, kërkon që ato të mos i ndajë nga hapësirat e bollshme të mediumit publik. Do që të pathënat dhe faktet interesante t’i jap në një media private.

A ka dënjuar ndonjëherë ‘t’i diskutojë të pathënat dhe faktet interesante për publikun’ në Bordin e RTK-së?

Çka është ‘e pathëna’ e Jeton Musliut si kjo: “…kur them presion, nuk bëhet veç me bërtima”.

Kjo ishte fjalia më tronditëse nga shkrimi i Jeton Musliut. Çka nënkuptohet me presionin ‘përveç bërtimave’, vjen pyetja – natyrshëm.

Këtu duhet të nis debati ‘i të pathënave’ – në rast se struktura udhëheqëse e RTK-së, bashkë me kolegët e distancuar nga lajmi skandaloz, pranojnë të shkojnë në studion e Debat Plusit, kudo që do ta realizojnë atë debat, në Sallën ‘1 Tetori’, në Gërmi, apo kudo që do të gjindet hapësira e përshtatshme dhe e mjaftueshme për krejt njerëzit që Gërvalla i do përballë. /Dafina Demaku/

Lajme të ngjashme