Skandali i Gërvallës: Kaloi një vit dhe shkarkoi katër diplomatë në kërkim të nënshkrimit të saj - NACIONALE

Skandali i Gërvallës: Kaloi një vit dhe shkarkoi katër diplomatë në kërkim të nënshkrimit të saj

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekzistojnë dy lloje skandalesh që veç shefja e diplomacisë sonë, Donika Gërvalla, mund t’i prodhojë: afatshkurtëra dhe afatgjata. Në tekstin e mëposhtëm ju do të lexoni për një skandal që riprodhohet çdo ditë, në kërkim të nënshkrimit të saj.

Me skandalet afatshkurtëra jemi mësuar tashmë, sepse mesatarisht të paktën një herë në javë, Gërvalla na e kujton kush është bosi i MPJ-së [dhe i skandaleve].

Në anën tjetër, skandalet afatgjata nuk i shohim shpesh, por kjo s’do të thotë që duhet ta nënvlerësojmë aftësinë e Gërvallës për t’i bërë ato sa herë që një gjysmë-mundësi i sillet okolla.

Ende pa i bërë një vit qeverisje [periudhë afatgjatë], Gërvalla ka shkarkuar/emëruar katër Zëvendës-sekretarë të Përgjithshëm në MPJD.

E gjithë kjo sepse asnjë nga zëvendës-sekretarët nuk pranonin që t’i nënshkruanin vendimet arbitrare të Gërvallës, për shkarkimin e disa zyrtarëve brenda MPJ-së, me frikën se mund të kishin pasoja ligjore nëse e bënin.

Viktima e parë ishte Shkëlzen Morina, i cili në këtë pozitë ishte avancuar gjatë qeverisjes së kryeministrit Avdullah Hoti.

Gazeta Nacionale mëson se Morina kishte refuzuar të nënshkruajë vendimin për shkarkimin e zyrtarëve të MPJ-së, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore. Madje rreth kësaj, Morina edhe e kishte këshilluar Gërvallën që këtë punë ta marrë më shtruar.

Por, po të ishte lloji i personit që dëgjon dhe pranon këshilla, Gërvalla edhe mund të mësohej për të mos bërë skandale, fundja një vit është goxha kohë madje edhe për çdo praktikant që ta mësojë punën e vet.

Askush s’ka nevojë për këshilla që ta dijë se në këtë rast, kur çifti i Morinës nuk bindet, në vend të tij duhet ta emërosh dikë që urdhrat e shefit i zbaton verbërisht.

Gërvalla për ta përmbushur egon e saj gjeti Ariana Zherkën, duke e emëruar në pozitën e Morinës në fundin e korrikut të vitit të kaluar.

Besnikëria shpaguhet, e nuk vonoi gjatë kur Zherka nga Gërvalla u shpërblye me pozitën e ambasadores në shtetin fqinj të Malit të Zi.

Ama puna për të cilën Zherka ishte emëruar në pozitën zëvendës-sekretares ende s’kishte përfunduar, e nënshkrimi kërkohej.

Viktima e radhës – Elmaze Pireva – që pos tjerash u emërua edhe që më në fund të hiqte qafe këta zyrtarë problematikë për Gërvallën.

Pireva meqë ishte pjesë e MPJ-së për një periudhë të gjatë dhe kishte haber nga kjo punë [lirisht themi më shumë se Gërvalla], analizoi konkurset e vitit 2011 kur zyrtarët problematikë ishin pranuar dhe e këshilloi ministren të mos merrej vendimi për t’i shkarkuar ata.

Edhe pas largimit të tre personave nga ky post, Gërvalla ende s’e kuptonte që ky nënshkrim s’mund të hidhej në letër sepse shkarkimi i zyrtarëve nuk kishte bazë ligjore.

Andaj Gërvalla gjeti një të njohshëm, Behar Ismën – bashkëshortin e zyrtares së Vetëvendosjes, Vjosa Isma.

Nacionale mëson nga burimet e veta brenda MPJ-së se meqë Gërvalla s’i jepte pesë pare për këshilla ligjore, këtë e kishte bërë Behar Isma, duke kontaktuar avokatë.

Njohësit e ligjit e kishin njoftuar Ismën drejt, se nuk ka bazë ligjore për shkarkimin e zyrtarëve problematikë dhe nënshkrimi që i kërkohej, në fakt nuk ishte fare kompetencë e tij.

Zëvendës-sekretari i Përgjithshëm i kishte sugjeruar ministres Gërvalla që vetë ajo ta hedhë nënshkrimin në letër – meqë edhe këmbëngulte kaq shumë.

E derisa Gërvalla assesi nuk po arrin ta gjejë personin e duhur që t’ia kryejë ‘punët e pista’ [dirty jobs], ministres i plasi edhe një skandal me një tjetër diplomat.

Ish-konsulli i Kosovës në Hamburg, Gramos Begolli, kallëzon si Gërvalla i kishte zënë gafil stafin diplomatik në Gjermani.

“Ka ardhur pa paralajmërim për pavarësinë e Kosovës. Rregullat janë të qarta, por edhe rregullat diplomatike ekzistojnë për të gjitha shtetet ku duhet të sundojë ligji. Në rastin e vizitave në një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Znj. Gërvalla në bazë të rregulloreve është dashur të lajmërojë këtë vizitë në konsullatë, që ne t’i njoftojmë policinë dhe institucionet. Sepse në momentin kur të arrijë një përfaqësim i lartë, duhet të vijnë autoritetet që të sigurohet itinerari, dhe të sigurohet objekti që të mos ndodhë ndonjë incident”, rrëfen Begolli.

“Si profil i fotografisë, ka qenë një fotografi e një kafshe, nuk e kam marrë shumë serioze kërkesën, dhe nuk kam besuar se autorja e atij profili do të jetë zonja Gërvalla. Kam kërkuar përmes postës zyrtare, mirëpo nuk kam marrë konfirmim, dhe kemi vazhduar të nesërmen. Meqenëse ka qenë situatë me covid, e kemi pasur një numër të caktuar të pranishmve, hapësirat e konsullatës janë të vogla. Sidomos në pandemi”, shtoi Begolli.

Një ditë pas kësaj deklarate, Gërvalla urdhëroi kthimin e Begollit nga misioni diplomatik brenda ditës. Konsulli tha se kjo gjë ndodh vetëm në vendet autoritare dhe ato komuniste.

Ky ishte një ndër skandalet afatgjata të Gërvallës, por kjo s’do të thotë që s’ka të tjera. Fjalët s’i kemi të limituara, njëjtë si Gërvalla skandalet.

Sepse pa marrë parasysh çfarë ajo bën, Kurti s’e ka në plan ta shkarkojë shefen e diplomacisë, e cila para pak ditësh u takua me ministrin e Jashtëm të Somalisë [respekt për Somalinë], për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë.

Somalia konsiderohet shtet i dështuar ku qytetari mesatar atje fiton rreth 300 dollarë në vit.

Ukraina i doli Rusisë dardhë me bisht, pasi kjo e fundit assesi s’po mund ta mposht ani pse konsiderohet superfuqi globale.

Apo ndoshta ky është fryt i takimit në mes të Gërvallës dhe Mohamed Abdirizakut?

*Nacionalja ka bërë përpjekje të kontaktojë diplomatët e lartpërmendur, por ata nuk kanë folur, ndoshta duke besuar që ka jetë edhe pas Donika Gërvallës.

Lajme të ngjashme