S’ka festë në Ambasadën Amerikane për myslimanët e LVV’së që votuan kundër ligjit për martesat e seksit të njëjtë - NACIONALE

S’ka festë në Ambasadën Amerikane për myslimanët e LVV’së që votuan kundër ligjit për martesat e seksit të njëjtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të premten që shkoi, qindra fotografi u shpërndanë nëpër rrjetet sociale mbrëmjen e së premtës nga dhjetra deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët ishin duke festuar ditëlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Selfie” postuan edhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca, e deputetë të pushtetit e opozitës që morën pjesë në këtë festë.

Por, aty munguan disa deputetë si Mërgim Lushtaku, Duda Balje, Fjolla Ujkani, Gramoz Agusholli etj., të cilët nuk u panë në festën Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Të paftuarit kanë vetëm një gjë të përbashkët: kundërshtimin e martesave të seksit të njëjtë.

Duket se diplomatët amerikan të akredituar në Prishtinë, i kanë përcjëllur debatet e ashpra kundër Projekt-kodi civil, që njihte bashkësinë civile mes seksit të njëjtë, të cilat eskaluan në qëndrime homofobike.

Kjo pasi në pritjen diplomatike të përvitshme në Ambasadën e SHBA-së, kanë munguar të gjithë deputetët që votuan kundër kësaj nisme të Ministrisë së Drejtësisë.

Aty nuk qenë as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e as ata të PDK-së, e të AAK-së.

Natyrisht, më së shumti të munguar në këtë ceremoni kishte nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë ceremoni munguan Labinotë Demi-Murtezi, që ishte e zëshme kundër projekt-kodit civil. Natyrisht, edhe bashkëpartiakët e saj, si Gramoz Agusholli, Alban Bajrami, Fitim Haziri, Visar Korenica, Nijazi Isaku , Halil Thai, e Milazim Salijaj, ndër të tjerë. Në pritjen e organizuar nga Ambasada amerikane, nuk ishte prezent as Burim Karameta i Listës Guxo, që votoi po ashtu kundër.

Duket se amerikanët nuk ftuan as deputetët e partive opozitare, e të cilët votuan kundër projekt-kodit civil. Mbledhjen e bukur për 246 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, nuk e shijoi as Mërgim Lushtaku i PDK-së.

Por, në këtë festë u panë shumë deputetë që votuan pro projekt-kodit civil.

Dimal Basha, Fatmir Kollçaku, Agon Batusha, Jeta Statovci, Enver Haliti, Venedis Lahu, Armend Muja, Fitore Pacolli, e Mimoza Kusari-Lila, ndër të tjerë, ishin në festën e pavarësisë së SHBA-së. Madje, aty ishte edhe Gazmend Gjyshinca, deputet i VV-së, i cili abstenoi gjatë votimit.

Ndryshe, për nder të 246 vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, Kurti e Osmani mbajtën një fjalim.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se ndërhyrja humanitare e SHBA-së në Kosovë, siguroi mbijetesën e qytetarëve kosovarë.

“Në fund të shekullit të 20-të, ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe e udhëhequr nga ideja e supremacisë së të Drejtave të Njeriut mbi sovranitetin shtetëror, do të siguronte mbijetesën e popullit të Kosovës. Sot, ne jemi të përkushtuar ndaj jetës, lirisë, dhe kërkimit të lumturisë për vendin tonë, për rajonin tonë dhe më gjerë, pavarësisht nga raca, etnia, ngjyra, feja, bindjet politike, orientimi seksual ose çdo dallim tjetër real ose i perceptuar“, deklaroi Kurti.

Ndërsa presidentja Osmani theksoi se ajo çfarë SHBA-të kanë bërë për Kosovën tejkalon të gjitha partneritetet e njohura në botë.

“Ajo që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë bërë për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën për të ekzistuar, për çdo burrë dhe grua, për çdo fëmijë që e quan Kosovën shtëpi, shkon përtej çdo partneriteti të njohur në botë. Në ditët tona më të mira, dhe në ditët tona më të këqija, Amerika ka qëndruar gjithmonë pranë nesh, dhe ne do të jemi gjithmonë pranë jush “, theksoi Osmani.

Kujtojmë që debati për projekt-kodin civil ishte karakterizuar me përplasje të mëdha brenda grupit parlamentar të VV-së.

Ndonëse edhe kryeministri Kurti u kërkoi publikisht në Kuvend përkrahjen për këtë nismë ligjore, një pjesë e deputetëve të VV-së votuan kundër, duke e hedhur poshtë projekt-kodin civil.

Lajme të ngjashme