Hiç asnjë zë për Shemsi Bahtirin nga Kurti dhe Sveçla: për çdo aksion tjetër të antidrogës s'u pritet të marrin merita
Figurën e tij publike të gjithën Vetëvendosje, atë private i dyshuar për bos të trafikimit të drogës: Shemsi Bahtiri, anëtar i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, u arrestua dje në një aksion gjigand policor të antidrogës në mesin e 21 të tjerëve. Qindra mijëra euro para të gatshme e para falso, qindra mijëra euro të tjera në llogari bankare, qindra vetura, armë e drogë, pajisje të tjera, iu kapën grupit ku bënte pjesë Bahtiri si figurë kyçe. Nga Vetëvendosje thanë se thjesht panë nëse emri i tij figuron diku në ‘databazë’ dhe e hoqën. Vetëm kaq. Por, databaza publike e tij, profili në Facebook, ishte i tëri Vetëvendosje. Shoqërim të shpeshtë me figura si Gëzim Sveçla e deri edhe te fotografi me Xhelal Sveçlën e Albin Kurtin, u evidentuan në profilin e tij. Por, dikush tek më vonë ia shlyu të gjithë përmbajtjen nga profili. Megjithatë ato mbeten të ruajtura në media që kur emri i tij shkoi viral.
Kurti – Sveçla, asnjë fjalë...
Nuk ka aksion të madh policor antidrogë dhe krim të organizuar që Kurti dhe Sveçla nuk lajmërohen edhe para vetë organeve të sigurisë: të parët e kumtojnë lajmin, të parët i marrin kapitalin politik dhe të parët deklarohen se luftimi i krimit të organizuar është kredoja e tyre qeverisëse. Kësihovi ‘silent mode’. Partia Vetëvendosje u njoftua për publikun se kanë kërkuar emrin e tij në ‘databazë’ dhe se e kanë larguar nga partia deri të kuptojnë a është ai...

Nga Vetëvendosje figura si Armend Muja shkuan aq larg sa të shtrojnë pyetje se nga po dihet se emri i Shemsi Bahtirit – është edhe djali i tij, ai në arrati – është i përfshirë në këto arrestime ngase policia as prokuroria s’ka bërë publike gjë. Së paku dy media i kanë raportuar emrat e arrestuar në aksionin e madh të djeshëm: “Paparaci” dhe “Kallxo”.
“Prokuroria nuk ka thënë në njoftimin publik asgjë të ngjashme. As policia nuk ka dhënë ndonjë ‘organogram’ të rrjeti”, shkroi deputeti Muja.
Profilin e tij në Facebook, Shemsi Bahtiri, e kishte atë të një aktivisti, anëtari e militanti të shquar – merrte pjesë në zgjedhjet e brendshme partiake të Qendrës në Prishtinë, dhe i postonte si markë të veten përkatëse. Këto pas një dite dikush ia shlyu të gjitha. Megjithatë ato mbeten të ruajtura.

Bahtiri është figura e dytë e Vetëvenedosjes që arrestohet për trafikim droge: Besnik Mujeci ishte arrestuar dhe është ende në burg në Shqipëri, si pjesë e një rrjeti trafikantësh të ekstazisë.
Reagime
Anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe eksperta e siguris, Besa Kabashi, në një konferencë për media tha se kjo çështje nuk është thjesht penale, por “alarm për të gjithë sistemin tonë politik dhe institucional”.
“Në operacionin “Qielli i thyer”, u arrestua një person i njohur si organizatori kryesor i një rrjeti të trafikut të drogës, e njëkohësisht i njohur për lidhjet e tij të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, madje duke pasur qasje edhe në ish-Kryeministrin Kurti e Ministrin e Punëve të Brendshme. Kjo nuk është thjesht një çështje penale, është një alarm për të gjithë sistemin tonë politik dhe institucional. Është dëshmi e asaj që ndodh kur njerëzit e gabuar hyjnë në vendimmarrje, dhe kur strukturat e shtetit përdoren për interesa të errëta”, shtoi ajo.