“S’jam kokëfortë, por parimor”: Kurti i thotë gazetës gjermane se i ka dëgjuar miqtë ndërkombëtarë
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një intervistë për mediumin gjerman “Süddeutsche Zeitung”, e cila u publikua pak orë para takimit në Bruksel, që u ftua nga Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së. Kurti foli gjerësisht për residentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit i bëri thirrje ta njeh Kosovën, ndërsa foli edhe për “parimësinë” e tij.
Në intervistën për gazetarin gjerman, Tobias Tzick, Kurti u përball fillimisht me një kritikë. Sipas gazetarit gjerman, diplomatët ndërkombëtarë e cilëson Kurtin si partner të vështirë e kokëfortë. Por përgjigja e Kurtit ishte tipike për stilin e tij të diskursit.
"Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.” – ishte fjalia e përzgjedhur si përgjigje nga ana e Kurtit.
Tutje, shefi i Qeverisë vlerësoi se i ka dëgjuar aleatët e Kosovës në disa raste.
“Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar "miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive "për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, "kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre - apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?" – shkruhet në artikullin e gazetës gjermane, të përkthyer nga redaksia e gjuhës shqipe në Deutsche Welle.
Sigurisht, Kurti foli edhe për homologun e tij në dialog, pra Vuçiqin, i cili, vlerëson shefi i ekzekutivit kosovar, dëshiron të kthehet në kohë.
"Kur e takoj zotin Vuçiq, më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po' marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi.” – tha ai.
Në pjesën tjetër të intervistës, Kurti flet edhe për qasjen e BE-së dhe ShBA-së karshi Serbisë, duke thënë se “miqtë tanë në BE dhe ShBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Prandaj, sipas Kurtit, “kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë”.
“Kryeministri i Kosovës vlerëson se "diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, "duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.” – shkruhet në artikullin e gazetës “Süddeutsche Zeitung”.
Në fund të intervistës, Kurti kërkon nga Serbia ta njeh realitetin e quajtur Pavarësi e Kosovës, teksa shprehet qartësisht se për mungesën e arritjeve në dialogun mes palëve në Bruksel.
"Nuk kemi arritur shumë… "Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: "Ne kemi një marrëveshje.” Dhe më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencën për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes” – sqaroi Kurti.
Megjithatë, Kurti ishte i qartë në lidhje me nevojën që Serbia ta njeh Kosovën dhe të përballet me krimet e kryera gjatë luftës së vitit 1998-1999.
“Nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës.” – përfundoi Kurti.


