Rrahje e detonime: Çka ndodhi në veri pas takimeve të Kurtit, Borrellit e Vuçiqit në Bruksel? - NACIONALE

Rrahje e detonime: Çka ndodhi në veri pas takimeve të Kurtit, Borrellit e Vuçiqit në Bruksel?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet zonë e tensionuar, ndonëse e qetë. Përkundër se dje kishte një takim në Bruksel, që fokusohej në menaxhimin e krizës, në veri ka pasur zhvillime jo normale. Përveç rrahjes së dy personave në veri, gjatë natës ka pasur edhe detonime, të cilat dyshohet të jenë shok bomba ose fishekzjarrë. Çka ndodhi në veri?

Policia e Kosovës, në një prononcim për REL, ka raportuar se në orët e mbrëmjes së 22 qershorit, pra të enjten që iku, ka pasur detonime. Policia dyshon se ato kanë mundur të jenë bomba të shokut ose fishekzjarre, duke sqaron tutje se nuk ka pasur të lënduar pas këtyre detonimeve.

“Ka pasur detonime, mund të jenë shok bomba ose fishekzjarrë. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar.” - deklaroi zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa dje rreth orës 21:00, dy persona janë rrahur në Mitrovicën e Veriut. Më saktësisht, siç njoftoi mbrëmë Policia e Kosovës, në sheshin “Car Lazar” janë rrahur dy persona, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore. Tutje, Elshani Sqaroi se gjendja e dy personave pas trajtimit “është e mirë”.

“Sonte rreth orës 21:00, dy persona janë sulmuar në sheshin “Car Lazar” në veri të Mitrovicës. Viktimat kanë marrë ndihmë mjekësore në Mitrovicën Jugore dhe gjendja e tyre është e mirë.”- ka thënë Elshani, pa dhënë shumë detaje.

Çka u tha nga Brukseli?

Dje në Bruksel, me ftesë të kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, u mbajt një takim për “menaxhimin e krizës”, ku të ftuar ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndonëse këta dy nuk u takuan direkt. Pas takimit, Kurti e Borrell u dukën më optimistë.

Kurti deklaroi se me gjasë ditët përpara janë më të mira se ato që kanë ikur tashmë.

“Ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që i kemi lënë pas. Sidoqoftë, mbetet të shihet. Jam i hendikepuar për shkak se nuk kam pasur takim direkt, po e rithkesoj, ata që i thanë po marrëveshjes, që të mos e nënshkruajnë dhe që duket se janë penduar që kanë thënë po, tash po refuzojnë të takohen me mua, ndërkohë që i mbajnë peng tre policë të Kosovës. Është situatë shumë e vështirë për neve, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme. Siç po e shihni, në Bruksel është ende ditë, kemi mundur të vazhdojmë bisedimet, ndonëse është dita më e gjatë e vitit, megjithatë ka pasur kohë të kemi dialog intensiv deri sa të arrijmë një dakordim. Gatishmëria ime nuk mungon.” – tha Kurti, teksa e akuzoi palën serbë për ikjen nga dialogu.

Tutje, në deklarimin e tij, Kurti ka njoftuar se kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.

“Natyrisht që e kuptoj që ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhje të lira dhe demokratike.” – shtoi Kurti.

Ndërsa Borrell vlerësoi se dy liderët e kanë kuptuar rëndësinë e situatës, duke shtuar se Kurti e Vuçiq janë pajtuar për nevojën për zgjedhje në veri.

“Pas katër orë takime, unë mendoj që të dy liderët e kuptojnë rreptësinë e situatës. Por ashiqare janë në situata të ndryshme, në qasje të ndryshme, në interpretime të ndryshme mbi shkaqet dhe pasojat dhe zgjidhjet. Në mënyrë që të përpiqemi të shkojmë përpara, unë kam vendosur propozime konkrete mbi tavolinë bazuar mbi gjendjen e lartëcekur të BE-së. Dhe lista në këtë kontekst, ne jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutimin mbi modalitetet dhe hapat si të arrijmë atje (te zgjedhjet v.j.). Ende nuk jemi aty, por së paku ne e dimë si të ecim tutje, cilat janë dallimet dhe alternativat mbi procedurat.” – deklaroi ai.

Ndërsa siç raportoi Radio Evropa e Lirë,Vuçiq ka theksuar se “nuk mund të konfirmojë që ka ndonjë udhërrëfyes" për daljen nga kriza në veri të Kosovës". Megjithatë, ai e konfirmoi se dialogu në Bruksel do të vazhdojë ende.

"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment", sqaroi Vuçiq.

Lajme të ngjashme