Situata në veri të vendit: Çka thotë ish-kryeinspektori i AKI-së?
Situata në veri të vendit vlerësohet se ka një dimension jashtëzakonisht të përshkallëzimit të lartë. Tashmë kur data e zgjedhjeve në komunat veriore po afrohet, incidentet janë shpeshtuar. Në anën tjetër, ish-zyrtari i lartë i Agjenciës Kosovare të Intelegjencës (AKI), ka thënë se situata në veri nuk është e qendrueshme.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka vlerësuar në emisionin “Click” se situata është e paqëndrueshme.
“Unë besoj që incidentet e fundit janë për një periudhë kogja të gjatë… në formë dhe në përmbajtje në prakticitetin e tyre dhe në organizimin e tyre duket që janë të koordinuara dhe si e tillë po e sjell një situate në të cilën unë e kam thënë edhe më herët se ekziston një rrezik i asaj që mund të quhet ngrirje e veriut.” – ka thënë ai.
Në anë tjetër edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pas përfundimit të mbledhjes ku raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, ka thënë dy grupe në Rashkë për përgatiten për destabilizimin e veriut.
“Si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zë në befasi. AKI-ja po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion. Është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë e që mund të merren me veriun e Kosovës, ka stërvitje gjuajte me armë, taktizim.” – ka thënë ajo.
Për gjendjen në veri, ajo ka fajësuar të ashtuquajturën Organizatë e Mbrojtjes Civile dhe Listën Serbe.
“E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë. Atje vazhdon djegia e veturave të qytetarëve serbë me targa RKS. Po ashtu linçimi dhe presoni është rritur ndaj qytetarëve serbë që nuk i binden Listës Serbe.” – ka thënë ajo.
Zgjedhjet në veri
Ndërkohë, mbledhjet e KQZ-së për të vlerësuar rrezikun e qendrave të votimit po dështojnë.
Tash e tri ditë kjo mbledhje nuk është mbajtur dhe nuk dihet kur.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të mërkurën për Nacionalen ka thënë po përgatiten materialet.
“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të shtyrje të zgjedhjeve, megjithatë sipas ministres së Drejtësisë, Qeveria do t’i bindet KQZ-së dhe kërkesave të tyre.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës i bindet kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe vepron bazuar në kërkesat e tyre.
“Qeveria i bindet kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vepron në bazë të rrethanave dhe sugjerimeve që i japin pastaj institucionet e sigurisë që janë të mandatuara për këtë çështje. Në momentin kur do të kemi informacione të tilla që, ta zëmë zgjedhjet nuk do të mbahen ose nuk do të duhej të mbaheshin, atëherë sigurisht që do të japim qëndrimin tonë. Përndryshe i bindemi kërkesave të KQZ-së, siç e dini është institucion kushtetues dhe është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.” – ka thënë ajo sot më 12 prill në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Nuk dihet nëse situata në veri mund të çojë në shtyrjen e sërishme të zgjedhjeve.



