Situata në veri, raportohet se është dëgjuar një shpërthim i ri - NACIONALE

Situata në veri, raportohet se është dëgjuar një shpërthim i ri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një shpërthim i ri raportohet se është dëgjuar në Mitrovicën e Veriut, më konkretisht tek Tre Rrokaqiejt.

Klan Kosova, raporton se shpërthimi u dëgjua para pak momentesh.

Ndërkohë, siç raportoi Nacionale, fotoreporteri Vudi Xhymshiti, më herët tha se një shpërthim i pestë u dëgjua në veri të vendit.

"Një shpërthim i pestë është dëgjuar me zë të lartë nga bregu verior i lumit Ibër të Mitrovicës, në veri të Kosovës, pas një skene ku disa persona me rroba civile janë parë duke thyer xhamat e objekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës." - ka shkruar ai në një postim, të cilit i ka bashkëngjitur edhe video.

Çfarë ndodhi sot në veri?

Mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online, pasditen e së martës ka raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.

Siç mëson kjo gazetë, janë dëgjuar dy shpërthime ndërsa nga ndërtesa kanë dalë anëtarët e komisionit në fjalë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Sipas asaj që mësuam në vend, anëtarët e Komisionit Komunal, me asistencën e Policisë, kanë hyrë me forcë në ambientet e komunës, kanë thyer dyert dhe kanë ndërruar bravat, para se të dalin nga ndërtesa,” – ka raportuar ky medium.

Sot ishte e planifikuar që të vendoseshin anëtarët e komisionit nëpër zyret e tyre. Nuk dihet nëse operacioni i tyre deri tash është kryer me sukses. Nacionale po provon të kontaktojë me organet kompetente për të marrë më shumë informacione.

Redaksia deri në këtë moment nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionet mbi shpërthimet në këtë qytet.

Lajme të ngjashme