Situata në Jarinje: Raportohet se çiklistëve nga Serbia nuk u është lejuar të hynë në Kosovë - NACIONALE

Situata në Jarinje: Raportohet se çiklistëve nga Serbia nuk u është lejuar të hynë në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa çiklistë që ishin nisur nga Serbia për në Mitrovicën e Veriut, raportohet se nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë nga pika kufitare në Jarinje.

Mediumi serb “Kosovo-Online” ka cituar “zyrtarë të policisë së Kosovës”, të cilët kanë thënë se çiklistëve nuk u është lejuar hyrja për shkak të arsyeve të sigurisë.

Milic Radeviq, i cili është organizator i këtij grupi, ka thënë se kanë marrë një njoftim nga Policia se nuk mund të hynë në Kosovë.

“Ne pyetëm nëse do të mund të vinim për të nesërmën, na thanë se as ne as motorët tanë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë. Na tërhoqën vëmendjen se rreth 300 metra nga vendkalimi ka autoblinda dhe mjete luftarake të Policisë së Kosovës dhe më mirë të mos hyjmë.” – citohet të ketë thënë ai.

Një person tjetër, citohet të ketë thënë për këtë medium se kanë pasur “qëllime të mira”, që t’i viztojnë dhe t’i ndihmojnë serbët që janë në Kosovë.

“Morëm përgjigje nga Policia e Kosovës se nuk mund të hyjmë për shkaqe sigurie. Ne erdhëm me motoçikleta, nuk kemi ndonjë shenjë, kemi vetëm dëshirën për të bërë një vepër humanitare. Na ndalën pa asnjë arsye…” – ka thënë ai.

Ndërkohë, më herët policia e Kosovës dërgoi autoblinda në pikën kufitare me Serbinë, konkretisht në Jarinjë.

Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar zëvendëskomandanti për Mitrovicën e Veriut z.Veton Elshani

“Autoblindat janë dërguar për çështje sigurie, për ruajtjen e rendit dhe ligjit. Kemi informacione se një grup motoçiklistësh mund të vijnë. Të shohim a po vijnë apo jo, dhe çka po ndodh. Policia është atje për ruajtje të rendit. Kaq.”- ka thënë Elshani.

Lajme të ngjashme