Situata e tensionuar në veri: Nënsekretari amerikan viziton sot Kosovën
Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka aktivizuar ndërkombëtarët për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar. Kësisoj në Kosovë për një vizitë dy-ditore, duke filluar nga sot, do të qëndrojë Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Në anën tjetër, vizita do të ketë edhe në Serbi.
Pas situatës së tensionuar me shpërthime e me barrikadim të rrugëve në komunat veriore të Kosovës, zyrtarë të lartë të SHBA-ve e BE-së, janë angazhuar që të gjejnë një zgjidhje që çon në qetësim të situatës.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet sot do të vizitojë Kosovën. Ai do të qëndrojë dy ditë. Raportohet se bashkë me të për vizitë do të jetë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Më 12 dhe 13 dhjetor, Chollet do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me zyrtarët qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë, me të cilët do të bisedojë për vazhdimin e bashkëpunimit në një sërë fushash, përshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohje reciproke”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, Chollet në një intervistë për“Zërin e Amerikës”, kishte deklaruar se nuk është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje, duke përmendur edhe dhunën në veri.
“Nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, kishte thënë ai.
Por tashmë mbetet të shihet se çka tjetër do të diskutohet pasi Kosova mori vendim që të shtyhen për në prill të vitit të ardhshëm zgjedhjet për komunat veriore.
Chollet pas Kosovës do të vizitojë edhe Serbinë, Maqedoninë e Veriut si dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ndërkohë, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, emisari i posaçëm i dialogut Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari i Scholz i angazhuar për t'i ndihmuar Lajçakut në negociata, Jens Plettner dhe ai i Macronit, Emmanuel Beaune, me datën 17 të këtij muaji do t'i shkojnë në zyre Vuçiqit.
Kështu ka konfirmuar vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiqiku ka thënë se “do të jenë 4- 5 orë të bisedimeve të rëndësishme, deri atëhërë do të provojmë ta ruajmë në çdo mënyrë paqen dhe do të japim gjithçka nga vetja”.
Kujtojmë se Chollet ishte cak i sulmeve të përkrahësve të VV-së pas deklaratës së tij ku u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targat.
Nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Çka po ndodh në veri?
Në komunat në veri të vendit sipas infromatave të konfirmuara nga institucionet e Kosovës, janë të vendosur gjashtë barrikada teksa janë mbyllur dy pikat kufitare.
Po ashtu edhe të dielën mbrëma pati shpërthime në veri. Deri më tani një polic është lënduar.
Tensionimi i veriut erdhi disa ditë afër mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunave veriore si dhe arrestimi të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrave të KQZ-së.
Në anën tjetër, ambasadorët e e shteteve kryesore perëndimore, kanë kërkuar që të largohen barrikadat menjëherë.
Ambasadat amerikane në Prishtinë e Beograd, bashkë me ato britanike në të dy kryeqendrat dolën me komunikata zyrtare, me ç'rast kërkuan nga bandat kriminale në veri të vendit që t'i heqin menjëherë barrikadat. Gjithashtu edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock ka thënë se Kosova bëri atë që duhej, duke ulur tensionet, kurse Serbia po e bën të kundërtën.
Gjithashtu për situatën në veri, një reagim erdhi edhe nga Shqipëria. Kryeministri Edi Rama i cili tha se sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, dhe se rishfaqja e barrikadave në veri bie ndesh me frymën e dialogut.



