Situata e tensionuar në prag të zgjedhjeve: Përfaqësuesit e partive refuzojnë të shkojnë në veri
Përfaqësuesit e partive politike që do të garojnë në zgjedhjet lokale për veriun, po refuzojnë të shkojnë për ta kryer punën në pjesën veriore.
Kjo për shkak të tensioneve që janë krijuar ditëve të fundit, dhe demolimit të zyrave të KQZ-së.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së.
“Nga këto takime kemi deklarimin e KKZ-ve për Komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok se e kanë të pamundur të veprojnë në një objekt ku menaxhohet nga struktura jo të komunës. Po ashtu sipas deklarimit të anëtarëve të KKZ-së, ata nuk do të shkojnë në asnjë mënyrë në zyre, pasi kanë deklaruar se në pyetje është siguria fizike”, ka thënë Ahmetaj.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar anëtar i KQZ-së, Sami Kurteshi.
“Po refuzimi i punëtorëve të KKZ është i paarsyeshëm. Punëtorët që kanë kontratë të rregullt dhe me thënë nuk shkoj, është absurde”, tha ai.
Ndërsa Ilir Gashi nga PDK, tha se anëtarët që po refuzojnë ta kryejnë punën e tyre janë të subjekteve politike e jo të KQZ-së.
“E dëgjova më vëmendje kryeshefin por një gjë duhet ta bëjmë të qartë se zyrtarët e KKZ nuk e kanë refuzuar punën por zyrtarët e partive dhe jo ata që janë punëtorë të KQZ-së”, tha Gashi. /EO