“Simbol i turizmit”: Biznismeni nga Kosova me investim 40 milionë eurosh në Ulqin
Së fundmi, kosovarët janë duke u shquar për investime milionëshe. Një i tillë, është edhe investimi shumë milionësh nga biznismeni kosovar Arbër Kryeziu, që pritet të jetë shumë shpejtë një atraksion i ri për të gjithë në qytetin e Ulqinit të Malit të Zi. Më saktësisht, Kryeziu do të investojë hiç më pak se 40 milionë euro në këtë qytet bregdetar që popullohet goxha nga shqiptarët.
Gjatë ditës së sotme u bë edhe nënshkrimi i Ankesit të kontratës ndërmjet Drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Resurseve Detare, Mladen Mikijelj dhe pronarit të Royal Company nga Prishtina, Arbër Kryeziu, me anë të së cilës është zyrtarizuar krijimi i të gjitha kushteve për investimin e ri në vlerë mbi 40 milion eurosh në lokacionin e njohur të tashmë ish-hotel Jadran.

Në ceremoninë e sotme, ku u hodh edhe hapi i parë drejt këtij projekti të madh të një shqiptari nga Kosova, pjesmarrës ishte edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, zoti Dritan Abazoviq, si dhe kryetari i komunës së Ulqinit zoti Omer Bajraktari, i cili tha se ky investim do të jetë 'simbol i zhvillimit të turizmit'.
“Me këtë investim do të kemi kthesë historike në qytetin tonë dhe Ulqini do të kthehet në atë që ka qenë në vitet e 70-ta” - u shpreh më tej ai.
Ndërkohë Abazoviq, duke i uruar sukses investitorit Arbër Kryeziut, deklaroi se Mali i Zi është i hapur për të gjithë dhe çdo kush është më se i mirëseradhur për investime.
Tutje, ai tha se shpreson që ndërtimi i hotelit Jadran do jetë një vlerë shumë e madhe, ndërsa në vend do të sillet një brend botëror.
Nënshkrimi i sotëm i Aneksit IV të kontratës do t'i mundësojë investitorit të fillojë punimet përgatitore për ndërtimin e hotelit, i cili do të jetë një nga më luksozët në bregdetin malazez i një brendi të njohur globalisht.

Aktualisht pronari nuk ka zbuluar se cili do të jetë brendi i hotelit, duke e mbajtur sekret e befasi për dashamirët e qytetit të Ulqinit. Por meqenëse tashmë gjithçka është gati për të filluar punën, së shpejti do të mësojmë edhe detaje të tjera për këtë projekt të madh në qytetin me shumicë shqiptare të Ulqinit.