Sigurimi ia mbante çantën presidentes Osmani, veprimi shihet i paligjshëm - NACIONALE

Sigurimi ia mbante çantën presidentes Osmani, veprimi shihet i paligjshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrojtja e afërt e krerëve më të lartë të shtetit, gjatë detyrës së tyre po ngarkohen me punë që nuk iu takojnë me ligj. Madje, as nuk paguhen për t’i kryer ato shërbime. Ngjashëm i ka ndodhur një pjesëtari të mbrojtjes së afërt të presidentes Vjosa Osmani, gjatë vizitës që shefja e shtetit e bëri në Tajlandë në fund të muajit të kaluar.

Gjatë kësaj vizite, mbrojtja e presidentes përveç se ishte në krye të detyrës për t’i ofruar asaj sigurinë e nevojshme, ai kishte edhe një detyrë tjetër shtesë: mbajtjen e çantës së presidentes.

Mbrojtja e Osmanit duke mbajtur çantën e saj

Njohësi i protokollit, Tomor Avdia, ka deklaruar për gazetën Nacionale se një gjë e tillë është e ndaluar me ligjin e protokollit.

Mbajtja e çantës së presidentes nga mbrojtja, sipas tij, përbën shkelje, sepse për këto punë presidentja mund të asistohet vetëm nga protokolli, e jo nga stafi i sigurisë.

Mënyra e veprimit të protokollit është e ndarë ligjërisht me atë të sigurisë. Këto të dyja nuk mund të ndërhyjnë në punët e njëra-tjetrës”, tha Avdia.

Tutje, ai ka shtuar se në raste të tilla çdo element logjistik që ka me vete presidentja do duhej t’i drejtohej vetëm stafit të protokollit të saj.

Çdo element logjistik që ka me vete presidentja mund të asistohet vetëm nga protokolli dhe jo nga stafi i sigurisë. Nëse bëhet një gjë e tillë, kjo përbën shkelje”, ka përfunduar njohësi i protokollit.

Protokolli që u shkel edhe herëve të tjera nga presidentja e kryeministri

Raste të tilla kur presidentes dhe kryeministrit mbrojtja u kishte ofruar edhe shërbime tjera, kishin ndodhur edhe më herët.

Gjatë vizitës së kryeministrit Kurti në SHBA, ambasadori i Kosovës atje, Ilir Dugolli e kishte ushtruar edhe detyrën e shoferit të kryeministrit.

Ambasadori Ilir Dugolli duke vozitur kryeministrin Kurti në SHBA

Kjo gjë, sipas njohësve të protokollit, bënte shkelje të imazhit e padyshim që edhe të protokollit.

“Kjo është shkelje jo veç e protokollit, por edhe e imazhit. Është imazh i keq edhe për ambasadorin edhe për përfaqësimin që e bën atje ambasadori, sepse ambasadori nuk mund ta bëjë punën e shoferit. Ambasadori e ka të ndaluar ligjërisht me e përdorë automjetin vetë si shofer”, kishte thënë njohësi i protokollit.

Përveç kësaj, një ambasador nuk duhet të vozitë as jashtë detyrës së tij zyrtare.

E një detyrë shtesë jo diplomatike e kishte ushtruar edhe ambasadorja e Kosovës në Panama, Heroina Telaku.

Ambasadorja gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani në këtë shtet kishte shërbyer edhe si asistente e të parës së vendit.

Telaku, ia kishte mbajtur çadrën presidentes gjatë zbulimit të shtatores së Shën Terezës.

Ambasadorja Telaku duke ia mbajtur çadrën presidentës në Panama

Lajme të ngjashme