Si zakonisht: Politikanët shprehin ngushëllimet e tyre për aksidentin tragjik ku mbetën të vdekur tre të rinj - NACIONALE

Si zakonisht: Politikanët shprehin ngushëllimet e tyre për aksidentin tragjik ku mbetën të vdekur tre të rinj

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Tre persona rreth të njëzetave të tyre kanë mbetur të vdekur mbrëmë pas një aksidenti me makinë, te Liqeni i Badocit, në rrugën Prishtinë-Gjilan. Bash, aty ku është “devijuar” rruga. Aty pranë ku është nis të ndërtohet një urë, e që s’po përfundon. As autostrada Prishtinë-Gjilan nuk është kryer. Madje ishte ministri i linjes Liburn Aliu, i cili pak ditë më parë deklaroi se “gabim e ka pasë Kurti kur ka premtu, se autostrada kryhet në vitin 2023”. Pra, gabim.

Pas këtij lajmi të tmerrshëm, politikanët si zakonisht shprehën ngushëllimet e tyre, si dhe disa nga ta bënë thirrje edhe për kujdes më të shtuar në rrugë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi mbrëmë, ku vdiqën tre persona në Liqenin e Badocit.

Konjufca tha se me shumë dhimbje e ka pranuar lajmin.

“U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”, tha Konjufca.

“Duke bashkëndjerë me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, shtoi ai.

Kujdes më të shtuar në rrugë kërkoi edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Ngushëllimet e tyre i shprehën edhe i pari i PDK-së Memli Krasniqi, Abdixhiku i LDK-së, Haradinaj i AAK-së, si dhe Kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Krejt çka dihet për aksidentin

Gazeta Nacionale ka mësuar detaje të reja nga rasti tragjik që ka ndodhur mbrëmë në Badovc, ku si pasojë e rënies së një veture në liqen kanë humbur jetën tre të rinj.

Gazeta ka mësuar se në vendin e ngjarjes së pari ka arritur Policia e Kosovës, më pas ambulanta dhe zjarrëfikesit.

Pas identifikimit të vendit ku ka rënë vetura, zjarrëfikesit kanë tentuar nxjerrjen e viktimave, por se në mungesë të pajisjeve nuk ia kanë arritur.

Një deshmitar i rastit i ka thënë gazetës Nacionale se viktimat kanë mundur të nxirren vetëm pas ardhjes së ekipeve të FSK-së.

Ekipet e FSK-se kanë ardhur rreth orës 5 të mëngjesit. Ata kanë qenë të pajisur me mjete të sofistikuara. Brenda 10 minutave e kanë nxjerr viktimën e parë, më pas edhe dy viktimat tjera dhe veturën. Brenda një ore i kanë nxjerr të tri viktimat” ka thënë dëshmitari, duke dhënë detaje tjera.

Sipas ushtarëve të FSKsë që i kanë nxjerr trupat, dy viktimat kanë qënë jashte veturës, ne uje, kurse njëri ka qënë në veturën qe ka rënë në uje” ka thënë deshmitari.

Nacionale raportoi se të tre të rinjt kanë qenë të moshës së rreth njëzetave.

Policia e Kosovës po ashtu e konfirmoi ngjarjen teksa njoftuan se ndodhi mbrëmë në orët e vona.

Gazeta Sinjali raportoi se tre të rinjtë që humbë jetë nga ky aksident tragjik janë Rifat Pacolli, Ardit Gashi dhe Shpat. – mbiemri i të cilit akoma nuk është konfirmuar pasi nuk janë gjetur dokumente identifikuese.

Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku”, tha Policia e Kosovës për gazetën Nacionale.

Lajme të ngjashme