Si u mundua UP-ja ta paraqesë si borxh pagesën e kryer prej 58 mijë eurosh, zbulohet nga ZKA - NACIONALE

Si u mundua UP-ja ta paraqesë si borxh pagesën e kryer prej 58 mijë eurosh, zbulohet nga ZKA

2 orë më parë

nga NACIONALE

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka evidentuar se Universiteti i Prishtinës(UP) kishte paraqitur si borxh një pagesë që e kishte kryer tashmë.

Në gjetjet e ZKA-së thuhet, ndër të tjera, se ishin prezantuar lëndë të cilat veçse ishin paguar, në vlerë prej 58,094 eurosh.

Gjatë testimeve tona kemi evidentuar pasaktësi në raportimin e detyrimeve kontingjente, pasi në katër raste ishin prezantuar lëndë të cilat veçse ishin paguar në vlerë prej 58,094€. Po ashtu, në katër raste vlera e detyrimeve të prezantuara ishte shumë më e lartë se vlera e lëndëve të ofruara, që sipas zyrtarëve është si pasojë e kamatës së përfshirë. Ndërsa në dy raste të tjera, përshkrimi i lëndëve të prezantuara në regjistër nuk ishte i njëjtë me dokumentet burimore për shkak të gabimeve në përshkrim.

Përveç kësaj, ZKA ka gjetur edhe parregullsi të tjera sa i përket pasqyrave financiare.

Një tjetër gjetje problematike në UP nga ZKA është edhe mos publikimi i njoftimit paraprak të një kontrate, si rezultat i moskryerjes së detyrave me përgjegjësi nga ana e menaxherëve, respektivisht mbikëqyrësve të kontratave.

Bëhet fjalë për kontratën “Sigurimi fizik i objekteve për nevojat e UP” në vlerë prej 1,560,462 eurosh.

Po ashtu, UP për procedurën ‘Sigurimi fizik i objekteve për nevojat e UP’ me vlerë të kontratës 1,560,462€, nuk kishte përgatitur dhe publikuar njoftimin paraprak, siç kërkohet me nenin 39 të LPP-së”.

Ndërsa mungesa e njoftimit paraprak nuk përkon me rregullat e prokurimit publik dhe njëkohësisht e ul transparencën për Operatorët Ekonomikë(OP), duke i penguar ata të njoftohen dhe të përgatiten në kohë reale për prokurimet e mundshme.

Minimi i transparencës lë hapësirë për keqpërdorime dhe manipulime me tender./Nacionale

Lajme të ngjashme