“Si e Listës Guxo”: Logoja e “Rrugës së Re” të Abdixhikut ngjall debat në Facebook - NACIONALE

“Si e Listës Guxo”: Logoja e “Rrugës së Re” të Abdixhikut ngjall debat në Facebook

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në vend, ka publikuar logon e “Rrugës së Re”, siç tashmë zyrtarisht po quhet nisma opoiztare e Lumir Abdixhikut. Por kjo llogo, që erdhi pas takimit dy ditorë prapa dyerve të mbyllura, ka ngjallur shumë reagime, shumica prej të cilave ishin kritikuese. Çka ndodhi?

Në dy ditët e fundit, LDK-ja ka mbledhur njerëzit e saj në një hotel jashtë Prishtinës për të diskutuar për platformën politike të partisë që u themelua nga Ibrahim Rugova, ish-president i Kosovës. Nga ky takim, ende nuk ka dalë programi qeverisës, megjithatë është publikuar një logo.

Në mënyrë zyrtare, logon e “Rrugës së Re” e publikoi Abdixhiku. Por në lidhje me logon e re ka pasur shumë reagime, të cilat përveç kritikave, ishin edhe akuza për kopjim.

Reagimet…

Analisti Imer Mushkolaj ka shkruar ca fjalë, duke komentuar logon e re. Ai ka bërë një pyetje retorike, duke pyetur nëse logoja e “Rrugës së Re” po i ngjan logos së Klan Kosovës, televizionit që pushteti synoi ta mbyllte.

“A po m'doket veç mu a edhe juve, diqysh si logoja e Klan Kosovës? Nejse, dizajnerat grafikë le ta thonë fjalën e fundit 😁 – shkroi z. Mushkolaj.

Në formë të hajgares, reagoi edhe analisti tjetër, Astrit Gashi, i cili mbrëmë kishte një “shpërthim” absolutisht interesant kundër Arbër Rexhajt, deputet i VV-së. Gashi ka shkruar se skica e Rrugës A të Prishtinës, do të duhej të ishte logo e “Rrugës së Re”.

“Vazhdoj me mendu qe ne kete llogon e Rruges se Re, eshte dashte me qene skica e Rruges A! Eshte ma e kuptueshme, sado qe vec nje pjese ka nise!” – shkroi ai.

Ndërsa analisti Gazmir Raci, që njihet si analist me qëndrime të afërta me VV-në, e bëri një asocim, duke lënë të nënkuptohet se llogoja e “Rrugës së Re” ngjason me atë të listës Guxo.

“Nuk din njeri ka mja majt” – shkroi ai.

Analisti Vehbi Kajtazi u shpreh se është marre me heq dorë nga logoja e LDK-së.

“Me heq dore prej kesaj logoje me kaq shume tradite, me lansu nje logo tjeter, eshte marre. LDK po largohet nga LDK dhe nga Ibrahim Rugova. Derisa kundershtaret politike perkulen para Ibrahim Rugoves, LDK po ik prej trashegimise se tij. Per hair ju kofte rruga e re, por zor qe ju çon ne rezultat.” – shkroi ai.

Ndryshe, LDK-ja e ka vazhduar edhe sot mbledhjen për finalizimin e programit “Rruga e Re”. Zyrtarë të lartë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Abdixhiku, po diskutojnë për sektorë të ndryshëm si ekonomia, energjia, arsimi e të tjera.

“LDK-ja rikonfirmon angazhimin e saj ndaj vlerave të djathta dhe është e përkushtuar për integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me këtë program, LDK shpreh një qëndrim të qartë ndaj ndryshimit dhe përmirësimit të gjendjes së vendit në të gjitha dimensionet.” – është bërë e ditur nga LDK.

Takimin prapa dyerve të mbyllura të LDK-së e ka komentuar edhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës. Në një prononcim për Radio 1, Muhaxher deklaroi se diskutimi mbi programin e ri të LDK-së janë në përfundim.

“Ju konfirmojë se jemi në diskutimet përfundimtare për programin e LDK-së, i cili do të dal nga këtu dhe i njejti pastaj do të finalizohet në Kuvendin e LDK-së. Bëhet fjalë, pra për programin qeverisës të LDK-së.” – tha Muhaxheri për Radio 1.

Tutje, ai ka thënë se programi “Rruga e Re” është programpër qeverisjen e vendit.

“Tani mund t’ju them sigurt, vetëm se ne po merremi me punët tona dhe këto janë përgatitje shumë, shumë serioze për të ardhmen. Programi ‘Rruga e Re’ është program qeverisës për vendin.” – shoti ai.

Lajme të ngjashme