Si e njoha Nexhat Dacin, dyshin që donte të bëhej njëshi - NACIONALE

Si e njoha Nexhat Dacin, dyshin që donte të bëhej njëshi

8 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Akademiku Nexhat Daci ka qenë versioni i parë i Albin Kurtit në politikën e Kosovës. Nuk e pati suksesin e Kurtit për të vetmen arsye se populli ende nuk ishte i përgatitur të rebelohej ndaj bashkësisë ndërkombëtare, jo se Daci s’e provoi.

Kur u zgjodh kryetari i parë i Kuvendit, “dyshi”, siç ai kishte dëshirë ta thoshte, Daci thoshte se ndërkombëtarët po vinin në Kosovë për femra dhe restorane të bukura.

Sigurisht se kjo ishte e pavërtetë, sepse pas luftës Kosova nuk i kishte restorantet aq të bukura. Nuk i ka as sot, sa për ta tronditur ndonjë italian a francez, që ta lë Romën e Parisin, për të provuar një pastë në Klinë.

Ishte gënjeshtër e pastër, edhe Daci e dinte, por ngjiste.

Njerëzit e dalë nga lufta, që po luftonin për mbijetesë, dëshironin të besonin se diçka nuk po shkonte. Tregimet e thjeshta vazhdimisht janë të këndshme për masat, sepse ato të komplikuarat janë të vështira për t’u kuptuar. Gjithashtu, një shoqëri e pangopur me seks donte të besonte se ata po vuanin në këtë drejtim për shkak të ndërkombëtarëve.

Daci i kishte prekur dy pika të ndjeshme, bukën dhe seksin.

Kurse pas një përplasje me një ambasador amerikan, pas vdekjes së Presidentit Rugova, Daci për ambasadorin Goldberg kishte thënë se ai ishte veç një qytetar i Amerikës. Ky ishte një konflikt mes “dyshit” të Kosovës, që kishte tendencë të bëhej “njëshi”, dhe Ambasadës amerikane, që po provonte t’i vinte fre ambicies së Akademikut, sepse besonte se, në rrugën ku ndodhej Kosova atëherë, atë të negociatave për statusin final, kishin nevojë për një njeri të besueshëm, në këtë rast Fatmir Sejdiun, e jo për një figurë sharmante, karizmatike dhe narcizoide siç ishte Daci.

Në një ambient politik të thatë, Daci vazhdimisht dukej si yll i Hollivudit. Vishej ndryshe prej të tjerëve. Fliste ndryshe prej të tjerëve. Vepronte ndryshe prej të tjerëve.

Daci e kishte merak garderobën e bukur dhe të shtrenjtë. Me gjasë e kishte parë botën. Gjatë verës rrobat e tij kishin ngjyra të hapura, kurse prerjen e kishin slim fit. Përderisa akterët e tjerë politikë kryesisht visheshin për t’u mbrojtur nga të ftohtit, Daci vishej për të sjellë pak modë në Prishtinë.

Daci ishte ndoshta figura e parë e rëndësishme publike që i kishte rregulluar dhëmbët, kurse kjo ishte shndërruar në temë nacionale. Akuzohej se këtë ndërhyrje e kishte bërë me lekët e buxhetit. Ja pra sa të pashpirt kemi qenë me zyrtarët publik, u kemi rënë në qafë për dhëmbë.

Daci, sikur Kurti sot, por shumë më herët, shquhej për përdorim frazash që bënin përshtypje tek shtresat e pashkolluara. “Vazhdimisht tërësia është më e madhe se sa shumësia e pjesëve.” Për dallim prej Kurtit, Daci e kishte merak të fliste për veten në vetën e tretë dhe, me kënaqësi, e ilustronte ndonjë situatë politike me ndonjë eksperiment kimik. Vetës i referohej si Daci, ose si akademik Daci, dhe e citonte atë, “Akademik Daci ka thënë”.

Pas vdekjes së Presidentit Rugova, në LDK kishte shpërthyer lufta civile. Nexhat Daci konsiderohej figura e dytë më e rëndësishme politike edhe në vend, edhe në LDK, por brenda LDK-së e kishin toleruar arrogancën e Dacit, jo pse e donin, por sepse ishte i instaluar aty nga Rugova. Përndryshe Daci ishte kujdesur që gjatë katër pesë viteve të para të pasluftës të mos krijonte aleanca politike, por të krijonte show politik. Ishte shumë i këndshëm. Në intervista shkëlqente. Në këtë drejtim ishte i parakohshëm. Ishte politikani i parë në Kosovë që gjatë një interviste patjetër e sillte në muhabet edhe bashkëshorten, Zinetën, kurse kur fliste për Rugovën kurrë nuk fliste në superlativ, por fliste si për një shok. Kjo kishte efekt.

“I thash Ibrahimit, Ibro.” Mesazhi ishte, demek unë e Rugova para së gjithash jemi shokë, jemi intim me njëri tjetrin, e jo sikur ju të tjerët.

Nejse, kur vdiq Rugova, Daci synoi ta vuloste përfundimisht fatin politik të Kosovës dhe të vetin. Ju duk e lehtë, ndoshta sepse edhe i shpërfillte të tjerët. Rivalë të tij brenda LDK-së ishin Fatmir Sejdiu dhe Eqrem Kryeziu, ky i fundit në shërbim të Sejdiut. Fatmir Sejdiu, për dallim prej Dacit, ishte inflativ, fliste shumë dhe nuk thoshte asgjë, ishte politikisht korrekt, fliste si i Mallakastrës, ishte i thatë. Ishte tipik, qysh shqiptari mesatar i Kosovës e stereotipizonte një intelektual të asaj kohe. Daci ishte ekzotik. Ishte populisti i parë. Në kushte të një gare të barabartë politike, pa ndikime nga jashtë, Daci do ta hante Sejdiun për mëngjes.

Mirëpo po flasim për një epokë të rëndësishme historike për vendin tonë. Kosova kishte filluar t’i bënte hapat e parë për të negociuar statusin e vet final, kurse aleatëve nuk u duheshin akterë politikë siç ishte Daci. Ata kishin nevojë për partner të qëndrueshëm dhe besnik, që bënte çfarë i kërkohej, që nuk kishte shumë mendime personale në këtë proces. Dhe kishin të drejtë. Nuk kishin investuar amerikanët miliarda euro në luftë për Kosovën, që ata pastaj të flinin me kasavet se çfarë planesh kishte Daci i Tërnovcit. Plane duhej të kishin vetëm amerikanët. Ne jemi zbatues.

Prandaj, për të parandaluar çfarëdo befasie, amerikanët u bënë palë në procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, se kush duhej ta trashëgonte të pattrashëgueshmin, Ibrahim Rugovën.

Shumë pak e paskemi ditur se, në një mënyrë ose në një tjetër, atë mbrëmje të nëntorit të vitit 2006, në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, po mbahej Kuvendi i fundit i një partie madhështore dhe historike, siç ishte LDK. Çdo gjë që do të dilte prej saj, aty e tutje, do të ishte diçka tjetër. Nuk do të ishte më një lëvizje historike, por një parti politike.

Ndoshta gjërat do të kishin rrjedhur ndryshe, sikur Dacit të mos i grabitej fitorja në çastet e fundit. Unë kam qenë në atë sallë kur po numëroheshin votat e delegatëve për kryetar të partisë. Po garonin Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci. Nuk jam shumë i sigurt a ishin rrahur një natë më herët a një më vonë, por kjo s’ka rëndësi. Gara ishte aq e ngushtë, sa thuhej se delegatët e Gjakovës që ishin në Kuvend e kishin tradhtuar Dacin, përndryshe me votat e tyre kryetar i LDK-së do të bëhej Daci e jo Sejdiu. Dallimi në vota ishte diku 10 deri 12 sosh.

Me fjalë të tjera, Daci i kishte kundër vetes strukturat kryesore të LDK-së, ambasadat kryesore perëndimore, përfshirë atë të Amerikës, mediat kryesore, posaçërisht kompaninë Koha, dhe megjithatë ai do të zgjidhej prapë kryetar i LDK-së, sikur të mos tradhtohej nga një degë e partisë që ishte zotuar se do ta votonte. Me aq sa unë mbaj mend ka qenë dega e Gjakovës, por kjo ka pak rëndësi.

Daci ishte viktimë e një komploti të madh kundër tij, që ta mbytnin sa nuk ishte bërë shumë i madh, por para së gjithash ishte viktimë edhe e arrogancës së tij.

Fundi i Dacit ishte edhe fundi i LDK-së, ashtu siç ne e njihnim. Me Dacin në krye të saj, LDK nuk do të zhbëhej ashtu si u zhbë. Vetëm një vit më vonë i humbi zgjedhjet kjo parti.

Gjithashtu, pas humbjes, Daci dëshironte të vazhdonte të qëndronte edhe më tutje në LDK, por që fraksioni i tij të përfaqësohej në mënyrë meritore në kryesi dhe organe të tjera. Mirëpo fituesit kishin plane të tjera. Dhe në asnjë plan të tyre ata nuk e shihnin Dacin brenda. E donin politikisht të vdekur.

Kjo e detyroi Dacin ta krijonte LDD-në e famshme, Lidhja Demokratike e Dardanisë. Pa shumë financa dhe pa mbështetje mediale, Daci arriti t’i marrë një vit më vonë rreth 10 për qind, kurse LDK rreth 20 e ca për qind. Këto ishin zgjedhjet kur ishte krijuar edhe AKR e Pacollit, që nëse nuk gaboj i fitoi rreth 12 deri 13 për qind. Edhe Pacolli kishte marrë vota po nga shtrati i LDK-së.

Kjo fitore shënonte edhe fundin politik të Nexhat Dacit.

Dacin e kam intervistuar disa herë gjatë asaj kohe, por edhe më vonë kur u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Padyshim ishte figura më atraktive për t’u intervistuar. Vazhdimisht tregonte diçka që nuk e kishte treguar më parë dhe atë e bënte pa komplekse. Në një prej intervistave të fundit që e kishim bërë bashkë, Daci kishte treguar se si Thaçi e kishte sharë me nënë, kurse Daci këtë e tregonte me shumë humor.

Përveç humorit, Daci ishte edhe politikan i guximshëm. Ai pasluftës kishte pranuar të bëhej bartës i listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, kur shumëkush kishte refuzuar, sepse kohërat kanë qenë jostabile. LDK fitoi në Prishtinë me rreth 80 për qind të votave. Daci nuk deshi të bëhej kryetar i kryeqytetit.

Në fund, Nexhat Daci mbeti një prej atyre figurave që s’u bënë kurrë pjesë e rehatshme e sistemit. Edhe kur ishte brenda tij, sillej si dikush që po e sfidon. Ai e kuptoi herët se politika në Kosovë nuk fitohet veç me program, fitohet edhe me ndjenjë, me armiq të thjeshtë, me fjali që ngjiten.

Me vdekjen e tij mbyllet një kapitull i një popullizmi të hershëm, që atëherë s’pati terrenin e sotëm. Por figura e tij mbetet si paralajmërim dhe si kujtesë se historia shpesh i përsërit prototipet, vetëm ua ndërron kohën.

U prehtë në paqe.

Lajme të ngjashme